Aktualitet

Shqiptarët nuk kursehen për lodrat e fëmijëve/Kina kryeson importet!

Për t’iu dhuruar lodra fëmijëve, shqiptarët nuk duken se janë kursyer, sidomos dy vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se për 11 mujorin e 2022-it, importet e lodrave arritën në mbi 3.7 milion kilogram, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet janë rritur me 2.4% në sasi. Ndonëse janë importuar më shumë lodra, ato ishin më të lira. Në vlerë, importet arritën në 3 miliardë lekë (rreth 26 milion euro), me një tkurrje prej 3.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kina mbetet shteti kryesor nga i importojmë lodrat. Në periudhën janar-nëntor 2022, 61% e lodrave që kanë hyrë në vend ishin kineze. Rendja drejt çmimeve të lira ka bërë që importet nga Kina të rriten me 9% për 11 mujorin e këtij viti. Italia është shteti i dytë nga vijnë importet e lodrave, me 17% të totalit për 11 mujorin 2022. Ndryshe nga Kina, blerjet e lodrave nga Italia kanë rënë me 24% për janar-mars. Italia është zëvendësuar nga Turqia, që ka parë një rritje me 58%, duke zënë gati 12% të totalit të importeve.

Kina, furnizuesi kryesor i Europës me lodra

Të dhëna të tjera të Eurostat-it bëjnë të ditur se BE-ja është një importues neto i lodrave nga pjesa tjetër e botës, me 7.1 miliardë euro të importuara nga vendet jashtë BE-së në vitin 2021. Eksportet jashtë BE-së arritën rreth një të tretën e kësaj (2.4 miliardë euro).

Kina ishte furnizuesi më i madh i lodrave në BE, duke përbërë 83% të importeve të lodrave në vitin 2021, shumë përpara Vietnamit (4%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2%). Rreth një e pesta e importeve të lodrave nga BE shkoi në Gjermani (19%), ndërsa Holanda dhe Franca përbënin përkatësisht 17% dhe 11%.

Destinacioni kryesor i eksportit jashtë BE-së me më shumë se një të katërtën e eksporteve ishte Mbretëria e Bashkuar (27%), e ndjekur nga Zvicra (12%) dhe Shtetet e Bashkuara (11%). Së bashku, këto vende përbënin gjysmën e eksporteve jashtë BE-së për nga vlera.
Më shumë se gjysma e lodrave të eksportuara nga BE-ja erdhën nga Çekia (34%), Gjermania (21%) dhe Belgjika (7%).