Design

Shtëpia e Bardhë e dekoruar për Krishtlindje, ju prezantojmë pemët e çiftit Biden!

Për Joe e Jill Biden do të jetë e para Krishtlindje në Shtëpinë e Bardhë si President dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E si për herë të parë, çifti presidencial ka zgjedhur të dekorojë të gjithë rezidencën, përfshirë Zyrën Ovale, me 41 pemë. Mbi 10 mijë zbukurimet e këtij viti kanë edhe një emërtim zyrtar: “Dhurata zemre” e për to janë përdorur gjithashtu rreth 2 kilometra shirit. Mes dekorimeve edhe një variant në miniaturë i Shtëpisë së Bardhë, i shijshëm, me kek xhenxhefili.

Në librin kushtuar Krishtlindjes, Joe e Jill Biden shkruajnë:

Gjërat që konsiderojmë të shenjta na bashkojnë e tejkalojnë distancat, kohën e deri kufizimet e një pandemie: besimi, familja e miqësia; dashuria për artet, të mësuarit e natyrën; mirënjohja, shërbimi e komuniteti; uniteti e paqja. Këto janë dhuratat që lidhin zemrat dhe jetët tona, dhurata të zemrës. Bredhi i Dhomës së Kuqe, Red Room, është frymëzuar nga veprimet e vogla, të mbushura mirësi, siç dëshiron Jill Biden. Pemët e Krishtlindjes nuk mungojnë as në sallën e darkave zyrtare e në Dhomën Blu, Blue Room.

Oxhaku është zbukuruar me çorapet e festës, topa të kuq e fjongo, ndërsa pakot e mëdha të mbështjella me ngjyrën e kuqe, të vendosura pranë portave e dritareve, përshtaten me temën e dhuratave, aq të pëlqyera e të shumëpritura, sidomos në këtë periudhë që përkon me afrimin e festave të fundvitit.