Bota

Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet!

Ndërsa vazhdojnë protestat në veri të Kosovës, shtohet trysnia ndërkombëtare për zgjidhjen e situatës.  Shtëpia e Bardhë njoftoi se zv.këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri.  Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se Finer ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Uashingtonit për situatën.

Nga qeveria e Kosovës, ai kërkoi t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave, të kryejnë detyrat e tyre nga vendndodhje alternative e të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja.

Qeverisë së Serbisë, Finer i kërkoi të tërheqë forcat e armatosura, të stacionuara pranë kufirit e të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës.

Dy ditët e fundit, si kryeministri Kurti, ashtu dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehën vullnetin për zgjedhje të reja. Nga fillimjava, kryetari i komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi është në zyrën e tij, pa dalë asnjëherë. Ndërkaq, kryetarët e komunave të Zveçanit e Zubin Potokut, nuk janë në zyrat e tyre.

Dje në Kuvend, Kurti u kritikua nga opozita për veprimet në veri, pa bashkërendimin me aleatët kryesorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, që kundërshtuan hyrjen me forcë ne komunat veriore, por ai këmbënguli se përgjegjësia është e Serbisë.

Serbia akuzon qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. Tensionet pasuan zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta. Të hënën protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Përplasjet shkaktuan plagosjen e 30 ushtarëve e nxitën shqetësimin për ripërtëritje të konfliktit në rajonin e trazuar.

Perëndimi ka ushtruar trysni për uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve, përfshirë zgjedhje të reja lokale në veri të Kosovës, uljen e gatishmërisë së trupave serbe në kufi e riangazhimin për procesin e normalizimit.

Zoti Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja e të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër, në fillim të këtij viti.