Bota

Shtetet e Bashkuara i tregojnë “muskujt” Rusisë në Baltik!

Me agresionin rus në Ukrainë që vijon prej më shumë se tre muajsh, Amerika po i tregon muskujt presidentit rus, Vladimir Putin dhe këtë zgjedh ta bëjë në Baltik. Stërvitjeve masive të NATO-s që nisin sot në Suedi, iu bashkohet edhe anija gjigante sulmuese amfibe, Uss Kearsarge, krahas përfshirjes së 16 vendeve. Mjeti lundrues që mban 26 avionë luftarakë e deri në 2 mijë e 400 marinsa dhe marinarë është vetëm një prej atyre të përdorur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës teksa premtojnë të garantojnë sigurinë e Suedisë e të Finlandës.

Me pushtimin rus të Ukrainës, dy vendet nordike vendosën t’i japin fund politikave neutrale dhe kërkojnë anëtarësimin në Aleancë. Por, për momentin po hasin në refuzimin e Turqisë. Ankaraja zyrtare i akuzon për mbështetje të terrorizmit, referuar mospranimit të tyre, për të ekstraduar drejtues kurdë, që shteti turk i akuzon si “terroristë”. Për të hyrë në NATO, duhet miratimi i të 30 vendeve anëtare, pasi një veto e vetme pengon anëtarësimin.

Ndërkohë, siç shkuan “New York Times”, veprimet amerikane janë edhe një paralajmërim për Stokholmin e Helsinkin mbi detyrimet që i presin në rast konflikti të mundshëm. Ushtarakë të lartë amerikanë kanë bërë të qartë se ashtu si Rusia ka flotën e saj baltike, edhe NATO do të ketë prani në Baltik, kur Suedia e Finlanda të bëhen pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Në këtë mënyrë, synohet që Baltiku të bëhet “liqeni NATO”.