Bota

Shtimi i rasteve, Austria mund të mbyllë në shtëpi personat e pavaksinuar!

Qeveria austriake mund t’i mbyllë në shtëpi të gjithë të pavaksinuarit me vaksinën anti-COVID.

Për shkak të rritjes së numrit të infektimeve të reja me koronavirus në vend, qeveria austriake paralajmëroi se nëse situata do të përkeqësohet, atëherë të gjithë personat e pavaksinuar do të mbyllen në shtëpi.

Kancelari austriak Aleksadër Shalenberg u shpreh se vendi po përballet me një pandemi të pavaksinuarish, dhe pjesa më e madhe e pacientëve në terapi intensive janë të pavaksinuar kundër COVID.

Ai i bëri apel popullsisë që të vaksinohet. Qeveria austriake e përbërë nga Popullorët dhe të Gjelbërit, me propozim të ministrisë së shëndetësisë, shtoi dy nivele alarmi me masat përkatëse: të katërtin dhe të pestin.

Në Austri, javën e fundit janë rritur ndjeshëm infektimet. Nëse numri i pacientëve do të përbëjë 30 për qind të vendeve në terapi intensive, atëherë do të aktivizohet menjëherë mbyllja për personat e pavaksinuar.

Nga 1 nëntori, në të gjitha vendet e punës secili duhet të vërtetojë nëse është i vaksinuar, i shëruar prej 6 muajsh ose ka tampon negativ.