Aktualitet

Shtimi i rasteve me COVID në vend, çdo 24 orë shtrohen 10 vetë me komplikacione!

Rritja e infektimeve me COVID në vend ka shtuar numrin e pacientëve të shtruar në spital, ku çdo 24 orë, deri në 10 persona referohen për shtrim. Mjekët thonë se pjesa më e madhe, nuk janë të vaksinuar. Sipas tyre, “ka shtim të rasteve, 30 të shtruar me COVID. Janë pacientë me sëmundje kronike, por të pavaksinuar, shumica të grupmoshës mbi 40 deri në 50-vjeç.

Ndonëse raportohet se në vendin tonë, një pjesë e madhe e të infektuarve me koronavirus po e kalojnë në forma të lehta, pacientët që paraqiten në spital janë ata me prekje në mushkëri. Temperatura e lartë është një ndër shenjat kryesore të konstatuara prej bluzave të bardha në këtë periudhë infektimesh. Asnjë prej të shtruarve momentalisht në spital, nuk e ka kaluar më herët COVID-in.

Esi Duka, mjeke infeksioniste në Spitalin COVID-3:

Ka shtim të rasteve me COVID, 30 të shtruar me COVID. Në 24 orë ka deri në 10 raste shtrimi. Shumica janë pacientë që nuk janë të vaksinuar, mosha mbi 40-50 vjeç. Janë pacientë me sëmundje kronike, por të pavaksinuar. Ka raste që janë vaksinuar me një ose dy doza dhe nuk kanë bërë dozat e tjera prej më shumë se një viti. Po dominojnë të pavaksinuarit që bëjnë dhe forma të rënda.

Pjesa më e madhe dhe format e rënda janë pacientë që kanë prekje pulmonare dhe vijnë me saturime të ulëta, por përveç kësaj janë edhe me prekje të sistemit nervor qendor, pacientë që janë paraqitur në kushte shumë të rënda, që jane referuar edhe nga spitalet e rretheve.

Një ndër shenjat kryesore që kemi vënë re është temperatura e lartë. Nëse ka tre-katër ditë me temperaturë të lartë, vështirësi në fymëmarrje, bark, të vjella, duhet t’i referohet mjekut të familjes. Apeli është që çdo qytetar të vaksinohet me dozat përkatëse! Mosvaksinimi sjell komplikacione të sëmundjes, sidomos te ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, si hipertension, diabet, etj.