Bota

Shtimi i udhëtimeve mes arsyeve të përhapjes së lisë së majmunëve në Europë e SHBA?!

Disa raste të lisë së majmunëve janë raportuar ose dyshohen në Britani të Madhe, Portugali, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara. Përhapja ka ngritur alarmin pasi sëmundja virale që transmetohet përmes kontakteve të ngushta e është zbuluar për herë të parë te majmunët, kryesisht shfaqet në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës. Herë pas here edhe diku tjetër.

Lia e majmunëve është një virus që shoqërohet me temperaturë dhe puçrra të kuqe. Zakonisht është e lehtë, por ka dy variante kryesore: varianti i Kongos, i cili është më i rëndë, me vdekshmëri deri në 10 për qind dhe varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë të vdekshmërisë në rreth 1 për qind të rasteve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, rastet janë raportuar si variant i Afrikës Perëndimore. Portugalia ka regjistruar pesë raste të konfirmuara, ndërsa Spanja po teston 23 të mundshme. Asnjë prej tyre nuk kanë raportuar raste më parë. Po ashtu, Amerika raportoi një të vetëm. Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe më rrallë, mes njerëzve. Për herë të parë u zbulua te majmunët, në vitin 1958. Edhe brejtësit shihen si burim kryesor. Por tani, mënyra e transmetimit po i habit ekspertët, pasi 9 raste në Mbretërinë e Bashkuar janë të veçuara, pa lidhje mes tyre. Për këtë arsye, ata paralajmërojnë për transmetim më të gjerë, nëse nuk bëhet raportim.

Paralajmërimi i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se rastet e fundit kanë qenë kryesisht në mesin e burrave që janë vetidentifikuar si homoseksualë, biseksualë. Këto grupe duhet të kenë kujdes. Këtë javë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH deklaroi “shkencëtarët po bëjnë disa studime, për të parë nëse viruset janë të lidhura”.

Një skenar i mundshëm pas rritjes së numrit të rasteve është shtimi i udhëtimeve, pas heqjes së kufizimeve që ka imponuar pandemia COVID-19. Lia e majmunëve ka alarmuar virologët, sepse është në familjen e lisë, ndonëse shkakton sëmundje më pak të rënda. Lia është çrrënjosur me vaksinim në vitin 1980 dhe që atëherë infektimet kanë rënë gradualisht. Ekspertët u bëjnë thirrje njerëzve që të mos përfshihen në panik.