Sociale

Shtohen ankesat e qytetarëve për pronat, hartat kadastrale nuk përputhen me realitetin në terren

Problemet me pronat janë ndër më shqetësueset për qytetarët shqiptarë. Avokati i Popullit konstaton në raportin vjetor se gjatë vitit 2021, janë paraqitur 133 ankesa për çështjet e pronësisë nga 59 të tilla një vit më parë.

Ankesat kanë qenë të orientuara kryesisht ndaj strukturave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, drejtorive vendore të saj, bashkive, IMT-ve pranë tyre, Agjencisë së Trajtimit të Pronave si dhe organeve të cilat janë ngarkuar me çështjen e rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.

Një ndër problemet kryesore që evidenton Avokati i Popullit në analizën që iu bën çështjes së pronave janë hartat kadastrale. Ajo që konstatohet është se shpesh “hartat ekzistuese kadastrale kanë një tendencë të lartë të mos jenë në përputhje me situatën në terren.

Problematika që haset më shpesh është se njësitë e pasurive të paluajtshme (parcelat dhe ndërtesat) në shumë raste janë të pozicionuara gabimisht. Me kalimin e kohës për shkak të ndryshimeve në specifikime dhe referencë, problematika është rritur.

Në shumë raste, kur ka kopje të ndryshme fletë harte, vihet në diskutim se cila hartë është aktuale apo e sakta. Në zyrat e ASHK-së të dhënat mbi parcelat nuk mungojnë, por nuk dihet me saktësi statusi i pronës”, theksohet në raport.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo situatë është problematike kryesisht në Tiranë dhe në bregdet, ku ka shumë ndërtime informale.

Një tjetër problematikë e konstatuar nga Avokati i Popullit në vite, por që vazhdon edhe për vitin 2021, është shpronësimi për interes publik i pronës private nga shteti, ku në raport theksohet se qytetarët ndihen të pafuqishëm dhe nuk kujdeset për interesat pronësore të tyre.