Aktualitet

Shtohet numri i personave të helmuar në Krujë/ Mbi 500 banorë me të vjella, dhimbje barku e diarre.

Vijon të rritet numri i qytetarëve që paraqiten me simptoma helmimi në urgjencën e spitalit të Krujës .

Mbi 500 persona, mes të cilëve edhe dhjetëra fëmijë, prej tre ditësh kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ata kanë pasur kryesisht komplikacione si dhimbje barku, diarre, dhimbje koke e të vjella.

Situata është vështirësuar pasi janë ezauruar kapacitetet, ndërsa numri i pacientëve të helmuar shtohet. Autoritetet spitalore garantojnë se gjithçka është nën kontroll, ndërsa pacientët e helmuar pasi marrin shërbim largohen drejt banesave.

Banoret  thonë se shkak është bërë uji i pijshëm.

Sipas tyre, problematika me helmimin është e përsëritur, pasi ka ndodhur edhe herë të tjera pas ndërtimit të ujësjellësit të ri.

Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostrat e ujit të pijshëm dhe po kryen analizat. Edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po punon për të gjetur shkaqet e helmimit masiv.

Ujësjellësi i ri i Krujës u vu në punë në muajin mars të këtij viti, para zgjedhjeve të 25 prillit dhe në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.