Aktualitet

Shtrenjtimi i karburantit dhe ushqimeve rritën inflacionin!

Karburanti njohu një shtrenjtim të shpejtë krahasuar me vitin e kaluar në muajin korrik . Në disa pika një litër naftë ju shit qytetarëve deri në 20 lekë më shumë se në vitin e kaluar, e shkaqet sipas ekspertëve lidheshin sa me tregun e huaj sa me abuzimin në vend.

Ky shtrenjtim ka dhënë ndikim pozitiv në rritjen e inflacionit muajin e kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT në muajin korrik inflacioni ishte 2.2% nga 1.4% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë që objektivi në 2022 është 3 përqind.

Shkaku kryesor për këtë rritje ishte kategoria e transportit ku përfshihet karburanti i cili u shtrenjtua me 4.4% në muajin që shkoi.

Në vend të dytë renditet rritja e çmimit për produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike me 4.1%, ku shtrenjtimi më i madh u regjistrua tek zarzavatet me 16.6% krahasuar me korrikun e 2020. Sipas raportit edhe çmimi i vajrave dhe yndyrave u rrit me 7%, apo dhe frutat u shtrenjtuan me 2.9%.

Edhe pse rritja është më e ndjeshme në grupet e lartpërmendura, shtrenjtimi ka prekur thuajse të gjithë produktet.

Sipas INSTAT pijet alkoolike dhe duhan janë shtrenjtuar me 1,8%, hotele, kafene dhe restorante me 1.4%, mobilimi i shtëpisë me 1.1 % apo argëtimi dhe kultura me 1%, në raport me vitin e kaluar.