Sociale

Shtrenjtimi i lajmëruar i bulmetit, nis monitorimi për abuzim nga kompanitë e qumështit

Kompanitë e përpunimit të qumështit kanë lajmëruar një rritje të re të çmimeve të bulmetit me 37% duke nisur nga java e ardhshme. Por ky njoftim ka nxitur reagimin e Autoritetit të Konkurrencës. Institucioni që ka për detyrë të ndalojë abuzimet me tregun, ka njoftuar se po monitoron në terren çmimet me pakicë të këtyre produkteve.

Konkurrenca ka deklaruar se do të shqyrtojë mbi të gjitha nëse kjo rritje vjen si marrëveshje e ndaluar midis kompanive, për të rritur çmimet në mënyrë fiktive. Autoriteti ka paralajmëruar kompanitë e qumështit, se nëse vërtetohet caktimi arbitrar i çmimeve, këto biznese rrezikojnë të gjobiten deri në 10% të xhiros së vitit të shkuar.

Ne 2022-shin një lajmërim të tillë bënë edhe kompanitë e miellit, që u gjobitën më pas në Dhjetor me 91 mijë euro.