Aktualitet

Shtyrja e afateve të vetting-ut, Këshilli për Legjislacionin e Komisioni i Ligjeve japin “OK”!

Sot në mbledhjen e përbashkët, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni i Ligjeve miratuan projektligjin mbi nismën e ndryshimeve kushtetuese, për shtyrjen e afatit të organeve të vetting-ut, deri më 31 dhjetor 2024. Propozimi ka ardhur nga maxhoranca socialiste.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka:

Në nismën e tyre, 39 deputetë të maxhorancës kanë kërkuar ndryshime të Kushtetutës, që në qëllim kanë përmbylljen me sukses të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Jemi para një situate ku procesi i vetting-ut, si një nga shtyllat e Reformës në Drejtësi është në ecurinë e tij, në momentin që aktualisht po i mbaron afati. I mbaron në qershor 2022. Por, jo të gjitha çështjet e rivlerësimit janë përfunduar. Nga një total prej rreth 800 çështjesh deri në këtë moment, kemi ende të papërfunduara gati mbi 30% të tyre. Por ky numër mund të ndryshojë sepse deri në qershor 2022 puna vazhdon!

Për këtë arsye, propozohet shtyrja e këtij afati, pasi në thelb të ndryshimeve kushtetuese qëndron trajtimi i barabartë i çështjeve. Pra, trajtimi në mënyrë të barabartë i të gjitha çështjeve të rivlerësimit.

Kushtetuta shprehet se në përfundim të afatit, ky proces i kalon KLGJ-së për gjyqtarët dhe KLP-së për prokurorët, ndërsa kompetenca e Komisionerëve Publikë, që është hallka e parë e vetting-ut dhe KPA-së do t’i kalojnë organit të Prokurorisë së Posaçme. Pra, ne kemi një skenar të paracaktuar kushtetues, i cili nuk e ka lënë pa zgjidhje këtë çështje, në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Sipas Bushkës, dy janë zgjidhjet:

Të shtyjmë afatin e organeve të rivlerësimit deri në fund të vitit 2024 dhe zgjidhja e dytë, të vijojmë me skenarin e paracaktuar në Kushtetutë!

Në fund të mbledhjes së përbashkët ku mungonin përfaqësuesit e Partisë Demokratike, u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji i propozuar.