Art & Kulturë

Kompania ’Cineworld’ mbyll kinematë

Kompania ‘Cineworld’ do të shkurtojë mijëra vende pune pasi konfirmoi se do të mbyllë përkohësisht kinematë e saj në Britaninë e Madhe dhe SHBA për shkak të Covid-19. Vendimi erdhi edhe pas raporteve për shtyrje të tjera në kohë të premierave të filmave të rinj, i fundit mes të cilëve filmi i ri James Bond, “No Time To Die”. Njoftimi shkaktoi telashe edhe në bursa ku aksionet e kompanisë ranë me 57%.

Cineworld konfirmon se përkohësisht do të pezullojë operacionet në të 536 kinematë e saj në SHBA dhe 127 të tjerat në Britaninë e Madhe, nga 8 tetori 2020”, thuhej në një deklaratë të kompanisë.

Duke qenë se tregjet kryesore në SHBA, kryesisht Nju Jorku, mbeten të mbyllur, dhe pa të dhëna për kohën e rihapjes, studiot hezitojnë të publikojnë prodhimet e tyre të reja. Në këmbim, pa publikime të reja, ‘Cineworld’ nuk mund ti ofrojë klientëve në SHBA dhe Britani, tregjet kryesore të kompanisë, produkte cilësore që ti tërheqë ata nëpër kinema, pavarësisht Covid-19.