Politikë

Shtyrja e rritjes së pagave, Tabaku: U konfirmua që ishte premtim elektoral

Pagat e prillit që do të merren në maj nuk kanë të reflektuar rritjen e premtuar, pasi duhet ende kohë për zbardhjen dhe bërjen të zbatueshme të VKM-ve ,e kësisoj për deputeten demokratike, Jorida Tabaku është një tregues i qartë se e gjitha ka qenë për qëllime elektorale.

Më anë të një reagimi në rrjetet sociale, pak pas konferencës për media të ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, Tabaku shkruan se u vërtetua se ka qenë një premtim para zgjedhjeve, për të cilën nuk i kanë bërë aspak llogaritë mirë.

“Zvarritja e pakuptimtë e qeverisë me rritjen e pagave kur ka që në dhjetor që i reklamom dhe mbasi janë miratuar dhe në parlament tregon se premtimi rritjes së pagave ishte reklamë e papaguar fushate dhe nuk ishte i bazuar në llogaritje korrekte të buxhetit.

Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër. Paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar.

Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pazonja të manaxhojë arkën e taksave të shqiptarëve”, tha Tabaku.

Ky reagim i Tabakut vjen pasi Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se pagat për majin do të kalojnë sic ishin para miratimit të reformës, ndërsa shtesat për dy muajt maj e prill, kur shtrihet efekti financiar, do të bëhet më vonë, por pa përcaktuar një datë.