Aktualitet

Shuhen të gjitha vatrat e zjarrit në Gjirokastër ku dje u shënua viktima e parë!

Në Gjirokastër janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit, përfshirë atë të rrezikshme në Lunxhëri ku edhe u shënua viktima e parë e situatës së zjarreve në vend. Në orët e para të mëngjesit, forca zjarrfikëse e të ushtrisë, të mbështetura nga një helikopter e vunë nën kontroll këtë vatër mes fshatrave Qestorat e Tranoshishtë. Efikase ndërhyrja edhe në Kalanë e Shën Triadës ku gjenden antenat e kompanive të telefonisë celulare. Edhe aty u shuan sot flakët.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi:

Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica te Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm!

Një ditë më parë, për shkak të zjarreve u dha urdhër evakuimi për banorët e fshtrave Krinë, Asim Zeneli e Arshi Lengo. Në përpjekje për të shuar zjarrin, dje në Asim Zeneli humbi jetën Andrea Haxhiaj, 64-vjeç. E plagosur mbeti bashkëshortja e tij, e cila u dërgua në Tiranë për kurim më të specializuar. Gjatë luftës me flakët, gjithashtu pësoi gjendje asfiksimi një ushtar i Forcave të Armatosura. Ai ndodhet në spital, jashtë rreziku për jetën.

Ndërkaq, vazhdojnë zjarret në Vlorë ndonëse në Karaburun, situata paraqitet më e qetë. Sipas raportimeve nga terreni, aktualisht vatrat janë sërish mbi bazën detare të Pashalimanit si dhe në Malin e Dukatit.

Shqetësim përbëjnë flakët pas Karaburunit, mbi gjirin e Gramës ku janë shfaqur vatra të cilat mund të shkojnë në Llogara. Krahas zjarrfikësve e forcave të ushtrisë ka ndërhyrje nga ajri me helikopter.

Por kryedemokrati Basha akuzon kryeministrin Rama, pikërisht për helikopterin.

Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij. Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi. Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët!