Aktualitet

Shuhet balerini i njohur shqiptar, Kujtim Hoxha!

Një sëmundje e rëndë i ka marrë jetën balerinit të njohur shqiptar, Kujtim Hoxha, në moshën 64-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka ndarë me të gjithë drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zana Çela.

Ajo i ka shprehur ngushëllimet familjes së balerinit dhe ka theksuar gjithë kontributin e tij në artin shqiptar. Çela shkruan se:

Kujtim Hoxha ka punuar me përkushtim duke filluar që nga Dekadat e përvitshme të Majit e deri tek shfaqjet e baletit të trupës së TKOB. Krahas interpretimit si balerin në pjesën më të madhe të baleteve të vëna në skenën e TKOB me trupën e baletit, ka interpretuar dhe role solistike në baletet si: “Duarartët vigjilentë”, “Tokë e pamposhtur”, “Para stuhisë”, “Don Kishoti”, “Halili dhe Hajria”, “Arrëthyesi”, “Bajadera”, “Liqeni Mjellmave”, “Maxhordomi”, “Lumi i vdekur”, “Coppelia”, “Delina”, “Zhizel”.