Aktualitet

Shuhet ikona e rock-ut, Meat Loaf/ Identifikohet me superhit-in I’d Do Anything For Love!

Këngëtari dhe aktori i njohur amerikan, Michael Lee Aday, i njohur gjerësisht si Meat Loaf ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Njoftimi jepet në faqen e tij zyrtare në “Facebook”:

Zemrat tona janë thyer për të dhënë lajmin se i pakrahasueshmi Meat Loaf ndërroi jetë, me bashkëshorten Deborah në krah. Në karrierën e gjatë përshkoi 60 vite gjatë të cilëve shiti mbi 100 milion albume në të gjithë botën e interpretoi në më shumë se 65 filma, mes të cilëve “Fight Club” e “The Rocky Horror Picture Show”.

Familja shprehu falenderime për mesazhet e mbështetjes nga fansat e artistët që punuan me të dhe që te Meat Loaf njohën një person shumë frymëzues.

I lindur në Dallas, më 27 shtator 1947, Meat Loaf u bë një emër shumë i njohur, veçanërisht falë suksesit të albumit “Bat Out of Hell”, një ndër më të shiturit në historinë e muzikës rock. Disku u pasua nga “Bat Out of Hell II: Back into Hell” e “Bat Out of Hell III: The Monster Is Loose”. Ndërkohë, fitoi një Grammy, për intepretimin më të mirë vokal të këngës së shndërruar në hit, “I’d Do Anything for Love (But I Won’t Do That)”.

Krahas suksesit muzikor, Meat Loaf spikati edhe si aktor, nisur nga roli i dyfishtë i Eddie-t e doktor Scott-it në “Rocky Horror Show”, në të parin edicion amerikan në Roxy Theatre të Los Anxhelosit. Në curriculum-in e tij është edhe “Fight Club” në krah të Edward Norton-it e Brad Pitt-it. Ndër të tjera, edhe një episod në serialin amerikan “Master of horror”.