Bota

Shuhet në moshën 119 vjeçe, gruaja më e moshuar në botë!

Shuhet në moshën 119-vjeçare gruaja më e moshuar në botë. Japonezja Kane Tanaka mbylli sytë në Japoni dhe lajmin për ndarjen e saj nga jeta e dhanë autoritetet në vendin aziatik.

Tanaka lindi në Fukuoka, në jugperëndim të Japonisë, më 2 janar 1903, vit në të cilin vëllezërit Wright, shpikës dhe inxhinierë amerikanë realizuan me sukses fluturimin e parë me një pajisje të motorizuar, çka i dha statusin e shpikësve të avionit, pavarësisht pretendimeve të ndryshme. Po më 1903-shin, Marie Curie u bë gruaja e parë e vlerësuar me Çmimin Nobel. Pikërisht në ditën e dytë të këtij viti të shënuar, të paktën për dy ngjarjet e mësipërme, erdhi në jetë Kane. Deri pak kohë më parëm ajo gëzonte shëndet të mirë, jetonte në një azil për të moshuarit ku e kalonte kohën e lirë duke luajtur lojëra si shahu e madje përfshihej në zgjidhjen e problemeve matematikore. Çokollata e pijet me kafeinë, mes të preferuarave të saj.

Në rini, Kane Tanaka drejtonte disa aktivitete, mes tyre një dyqan me noodle dhe një tjetër me torta orizi. U martua në vitin 1922 dhe më pas u bë nënë e pesë fëmijëve, një prej tyre i adoptuar.

Po ashtu, planifikonte të merrte pjesë në stafetën e pishtarit në një karrige me rrota për Olimpiadën e Tokios në vitin 2021, por hoqi dorë, për shkak të pandemisë koronavirus.

Kur në vitin 2019 hyri në librin e rekordeve Guinness si personi më i moshuar në botë, iu kërkua të përshkruante çastin më të lumtur të jetës së saj e dha një përgjigje befasuese kur deklaroi:

Ky i tanishmi!

Japonia ka popullatën më të moshuar në botë dhe rreth 86 mijë e 500 banorë janë mbi 100-vjeç, referuar të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë e që i përkasin vitit 2021. Deri tani, rekordin për jetëgjatësinë mes grave e ka mbajtur francezja Jeanne Calment, e ndarë nga jeta në vitin 1997, në moshën 122-vjeçe.