Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare dirigjenti finlandez Leif Segerstam, i cili drejtoi orkestra anembanë botës, shkroi më shumë se 370 simfoni dhe e quajti veten “Jezusi i muzikës”. Ai ishte i njohur për drejtimin e tij kapriçioz dhe energjik dhe flokët dhe mjekra e gjatë të bardhë, që i dhanë atij një pamje të Babadimrit kur udhëzonte muzikantët.
Transmetuesi publik finlandez, YLE njoftoi vdekjen e tij, duke cituar djalin e tij Jan, i cili tha se babai i tij kishte vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër. Leif Segerstam ka dirigjuar orkestra në mbarë botën, përfshirë atë të Çikagos, Filarmoninë e Los Anxhelesit, Simfoninë e Radios së Vjenës, atë të Torontos dhe Orkestrën Filarmonike Mbretërore të Liverpulit.
I lindur në një familje muzikantësh, ky fëmijë i mrekullueshëm mësoi të lexonte në moshën trevjeçare, të deshifronte fletët e muzikës në moshën pesëvjeçare dhe të kompozonte pjesën e tij të parë në moshën gjashtëvjeçare. “Unë jam pothuajse si Jezusi i muzikës”-tha ai dikur duke shtuar se ”në botën e muzikës, kam të vërteta po aq të çmuara sa mësimet e Jezusit”.