Aktualitet Bota Film & Tv

Shuhet në moshën 85-vjeçare aktori i njohur i “The Lone Ranger”, Saginaw Grant!

Saginaw Grant, aktori i njohur në filma si “Breaking Bad” dhe “The Lone Ranger”, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Grant thuhet se ndërroi jetë ditën e mërkurë ndërsa flinte. Sipas një burimi të tij të afërt, mikja dhe publicistja e tij Lani Carmichael, aktori vdiq nga shkaqe natyrore. Carmichael u shpreh se:

Ai e donte Oklahoma-n dhe Los Angeles-in. Ai e bëri shtëpinë e tij këtu si aktor, por kurrë nuk i harroi rrënjët e tij në Oklahoma.

Saginaw Grant lindi më 20 Korrik në vitin 1936, në Pawnee, Oklahoma. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në fund të viteve 1980 dhe luajti role të ndryshme në dhjetëra filma dhe shfaqje televizive gjatë tre dekadave të fundit, duke përfshirë këtu “The Lone Ranger”, “The World’s Fastest Indian”, “Breaking Bad”, “Baywatch”, “My Name Is Earl”, “Saving Grace”, “American Horror Story”, “Shameless” etj.

Aktori ishte aktiv në botën e kinematografisë për vite me radhë. Ai gjithashtu udhëtoi në të gjithë botën për t’u folur njerëzve për kulturën amerikane. Një memorial do të mbahet në nder të tij në qytetin e Los Angeles, por detajet nuk janë zbuluar ende.