Bota

Shumë spekulime për shëndetin e Putinit, por CIA iu jep fund!

“Nuk ka informacione të Inteligjencës amerikane që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin është në gjendje të keqe shëndetësore”. Kjo theksohet nga kreu i CIA-s, Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burns. Muajt e fundit ka patur spekulime të pakonfirmuara mediatike se shefi i Kremlinit, i cili më 7 tetor mbush 70 vjeç, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se mund të vuajë nga tumori.

Por, Burns bën të ditur se “nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron një gjë të tillë” dhe i buzëqeshur shprehet se “Putin duket shumë mirë me shëndet”. Zyrtari i lartë foli gjatë Forumit të Sigurisë Aspen, në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka plot thashetheme lidhur me shëndetin e presidentit Vladimir Putin dhe deri tani, ne mundet vetëm të themi se ai është plotësisht shumë i shëndetshëm.

Ndërsa publiku i pranishëm reagoi me të qeshura ndaj kësaj deklarate, Burns u kujdes të saktësonte se ky “nuk ishte një gjykim zyrtar i Inteligjencës”. William Burns ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë dhe për dy dekada ka vëzhguar e është marrë gjerësisht me liderin rus.

Putin është një besimtar i madh në kontroll, frikësim e hakmarrje, veti që i janë forcuar gjatë dekadës së fundit, pasi rrethi i tij i këshilltarëve është tkurrur.  Putin shprehet i bindur se fati i tij si lider është për ta rivendosur Rusinë si një fuqi të madhe. Ai beson se çelësi për këtë është të rikrijojë një sferë ndikimi në fqinjësinë e vendit dhe nuk mund ta realizojë një gjë të tillë, pa kontrolluar Ukrainën.

Shefi i CIA-s vizitoi Moskën nëntorin e kaluar dhe e paralajmëroi Rusinë për pasoja serioze nëse pushton Ukrainën, pasi Inteligjenca amerikane kishte mbledhur informacione për planet ruse. Por, Burns vuri në dukje se nga ai udhëtim u kthye më i shqetësuar nga sa ishte para se të shkonte në Rusi.

Prej 24 shkurtit, Rusia ka arritur të pushtojë pjesë në lindje dhe jug të Ukrainës, por dështoi që të përmbushë qëllimin fillestar, marrjen nën kontroll të Kievit ndaj pretendon se që në nisje, objektivi kryesor ishte “çlirimi” i rajonit lindor të Donbasit. SHBA-të kanë akuzuar Moskën se po përgatitet që të aneksojë më shumë pjesë të Ukrainës.