Bota

Shumë yje të muzikës po vrasin veten në Korenë e Jugut, përse po ndodh ky fenomen shqetësues?

Fatkeqësisht së fundmi u raportua se ndërroi jetë në moshën 25-vjeçare Moonbin, anëtari i grupit pop koreano-jugor Astro. Autoritetet i thanë gazetës koreane të lajmeve Yonhap News se këngëtari, emri i vërtetë i të cilit ishte Moon Bin, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Gangnam-gu, Seul. Ai besohet se ka kryer vetëvrasje, por shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë i ditur ende.

Moonbin nuk është rasti i parë. Disa yje të tjerë të rinj të K-pop-it kanë vdekur vitet e fundit. Goo Hara kreu vetëvrasje në nëntor 2019 pasi shantazhohej nga ish-i dashuri. Vetëvrasja e dyshuar ndodhi një muaj pasi shoqja e saj e ngushtë dhe ylli i K-pop, Sulli, vrau veten pas një beteje të gjatë me bullizmin në internet. Në 2018-n, 33-vjeçari Minwoo vdiq në shtëpi dhe kompania që e menaxhonte tha vetëm se ai pësoi arrest kardiak. Pak më shumë se tre muaj më parë, këngëtari i grupit SHINee, Jonghyun, vdiq nga një vetëvrasje e dyshuar.

Koreja e Jugut ka një nga nivelet më të larta të vetëvrasjeve në botë, e cila, sipas shifrave të fundit të qeverisë, është ndër shkaqet kryesore të vdekjes për njerëzit nën 40-vjeç. Kryesisht janë të moshuarit ata që për shkak të varfërisë vendosin t’i japin fund jetës. Një tjetër arsye është media.

Sipas studimeve, numri i vetëvrasjeve është rritur pasi media ka mbuluar vetëvrasjet e njerëzve të famshëm. Problemet familjare janë një tjetër arsye me ndikim të fortë. I fundit, por jo më pak i rëndësishmi është shëndeti mendor. Në Korenë e Jugut, sëmundjet mendore konsiderohen tabu, madje edhe brenda familjes. Mbi 90% e viktimave janë diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor, por vetëm 15% e tyre kanë pranuar të kurohen.