Rajoni

Shumë zyrtarë bojkotuan, por Milorad Dodik i bashkohet forumit të Putinit në Shën Pjetërburg!

Anëtari i presidencës tri-palëshe të Bosnjes dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ishte në Shën Pjetërburg të Rusisë ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Informacioni për takimin mes tyre u publikua mbrëmë rreth mesnate, në llogarinë zyrtare në Twitter të liderit të serbëve të Bosnjes, Dodik.

 

Dodik mori pjesë në seancën plenare të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, në të cilin foli shefi i Kremlinit, Vladimir Putin dhe ku nuk ishte i pranishëm thuajse asnjë zyrtar perëndimor, për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve me Moskën, pas agresionit që vijon prej rreth 4-muajsh në Ukrainë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se dy ditë më parë, Dodik u prit në takim dhe bisedoi me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Milorad Dodik, gjithashtu kryetar i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, partia kryesore në Republikën Sërpska, vazhdimisht ka përsëritur se ai mbron neutralitetin kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë.

Madje, disa ditë më parë njoftoi se “nuk do të lejojë nënshkrimin e asnjë dokumenti politik që në çfarëdo mënyre, cilëson konfliktet në Ukrainë”. Këtë e bëri të ditur gjatë një takimi mes përfaqësuesve të partive politike të Bosnjes dhe Hercegovinës e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel.

Bosnja dhe Hercegovina iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë në bazë të Strategjisë së Politikës së Jashtme dhe detyrimeve sipas Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit. Sipas informacionit zyrtar të publikuar në faqen e internetit të Këshillit Europian, “vendi ballkanik ndjek Bashkimin Europian në sanksionimin e qindra individëve dhe kompanive nga Rusia”.