A Live Night Celebrities Music Showbiz

Si asnjëherë më parë, Xhensila Myrtezaj flet me fjalët më të ëmbla për Besin!

E ftuar në episodin e sotëm të “A Live Night” ishte Xhensila Myrtezaj, në një rrëfim të jashtëzakonshëm të saj. Shumë e sinqertë dhe pa filtra, Xhensila rrëfeu për jetën e saj profesionale, nga hapat e parë në muzikë deri të vështirësitë dhe sakrificat e shumta, teksa na tregoi edhe më tepër për jetën personale, dashurinë e saj për Besin, dhe njeriun më të shtrenjtë pikërisht Ajkën.

Në një episod ku veç intervistës së artistes, Xhensila solli edhe disa interpretime të mrekullueshme të këngëve të saj, ku nuk munguan as sekrete të vogla lidhur me ato projekte muzikore. Jo vetëm për muzikën, por artistja na ka folur edhe për jetën e saj personale, nga ku sigurisht nuk mund të mungonte Besi.

Zemërgjerësia e Besit më ka përfshirë edhe mua. Besi ka një shpirt shumë të bukur. Nëse ka një gjë që e reflekton deri te drita e syrit, është zemra e tij e pastër, e bardhë, dëshira për të ndihmuar të tjerët. Ka një dëshirë për të ndihmuar, ai ‘bëhet copash’ për njerëzit. Unë jam rritur me Besin edhe kemi marrë shumë nga njëri-tjetri.

Ai momenti që unë vërtet e kam kuptuar se çfarë vërtet i duheshe jetës sime, ishte ai momenti kur unë kisha më shumë nevojë. Periudhën që unë jam njohur me Besin, mami im pati një komplikacion kardiak, dhe rrezikonte shumë. Besi m’u gjend pranë financiarisht, si vëlla asokohe, madje dhe gjak dha për mamin tim. Aty vërtet kuptova se pjesën tjetër të jetës sime duhet ta kisha me këtë njeriun në krah.

Duke qenë se unë jam shumë romantike, ai mundohet të jetë, por gjithmonë i rrëshkasin situatat. Kështu ndodhi edhe me propozimin e martesës. Ne ishim në Meksikë, ai kishte organizuar gjithçka buzë oqeanit. Pikërisht një natë më përpara unë pashë këtë skenën me një çift tjetër. Ai më tha po pse do ndodhë kjo situata dhe unë e kuptova që do ndodhte diçka të nesërmen. Iku surpriza… Besi tentoi të më propozonte sërish…

Kemi kaluar periudha të vështira. Çdokush i kalon. Kemi patur edhe kriza në marrëdhënie, ajo që na ka mbajtur shumë fort me njëri-tjetrin ka qenë besimi që kemi pasur në Zot që na ka bashkuar edhe në besimin tonë në dashuri. E kemi gjetur gjithmonë atë rrugëdaljen për të kapërcyer çdo moment të vështirë, dhe për të qenë prap sërish me njëri-tjetrin.