Celebrities Gossip Health & Beauty Showbiz

Si çdo vajzë pas një ndarjeje, Gigi Hadid vjen më një ‘look’ totalisht ndryshe!

Ka disa ditë tashmë që një prej lajmeve më kryesore nga bota e showbiz-it është këngëtari i njohur Zayn Malik i cili është akuzuar se ka goditur vjehrrën e tij, Yolanda Hadid. Pas të gjithë ngjarjes së bujshme brenda familjes së modeles së famshme, komentet në lidhje me këtë u bënë të panumërta.

Kjo është konfirmuar nga disa burime shumë pranë familjes dhe janë shprehur për gazetën e njohur “TMZ”. Gjithashtu është pohuar se Yolanda po e mendon shumë seriozisht çështjen dhe dëshironte ta denonconte Zayn në polici. Tashmë mësohet se Zayn është zotuar të bëjë gjithçka që mundet për të shmangur një betejë ligjore për kujdestarinë e vajzës së tij me Gigi Hadid, pasi ai thuhet se ka goditur nënën e saj.

Zayn, në një deklaratë, nuk e ka mohuar që ka ndodhur një përplasje mes tyre, por as nuk pohon e as nuk mohon të ketë qenë fizike. Më në fund Gigi ka thyer heshtjen e saj pasi u raportua se ajo është ndarë nga i dashuri, Zayn Malik, pas akuzave të nënës së saj Yolanda se ai e kishte goditur atë.

Në një deklaratë, një përfaqësues i modeles bukuroshe ka thënë për ‘E! News’ se:

Gigi është e fokusuar vetëm tek ajo që është më e mira për Khai-n. Ajo po kërkon privatësi gjatë kësaj kohe.

Epo, mesa duket gjatë kësaj periudhe reflektimi Gigi ka vendosur të ndryshojë modelin e flokëve. Diçka të tillë zgjedhin ta bëjnë shpesh vajzat pas një ndarjeje, si një mënyrë për të nisur një jetë të re me një pamje të re. Modelja 26-vjeçare është shfaqur me një pamje krejtësisht ndryshe, duke postuar disa foto në Instagram me balluke dhe flokë të lyer në ngjyrë ndryshku.

Rikujtojmë se vëllai dhe motra e Gigi Hadid, Bella dhe Anwar, i kanë bërë ‘unfollow’ Zayn Malik pas ngjarjes së bujshme. Kontrollet në Instagram tregojnë se modelet Anwar dhe Bella nuk e kanë më Zayn në listën e miqve të tyre. Ndërkohë edhe e dashura e Anwar-it, Dua Lipa, nuk e ndjek më Zayn gjithashtu.