Bota Food & Drink Lifestyle

Si e ka diktuar pija më e njohur me emrin Vodka historinë e Rusisë?

Në vitin 1223, kur një ushtri mongole dhe tatare asgjësoi një ushtri ruse shumë herë më të madhe, ata e kuptuan se kjo ndodhi pjesërisht për shkak se rusët ishin futur në betejë të dehur. Por ajo nuk do të ishte hera e fundit, që alkooli do të ndikonte në historinë e Rusisë. Në fakt, Kremlini është ndërtuar mbi një tokë dhe histori të zhytur në vodka.

Dhe kur shikon shifrat, nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja:Nga të gjitha vendet e botës, Rusia renditet aktualisht e katërta për konsumin e alkoolit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me tre vendet e para që u përkasin sërish fqinjëve të ish-republikave sovjetike. Dhe ashtu siç e thekson historian Mark Shrad në librin e tij “Politika e Vodkës: Alkooli, autokracia dhe historia sekrete e shtetit rus”, alkooli – dhe në veçanti vodka – është dëshmuar herë pas here një forcë kryesore në ndërtimin e fesë, shoqërisë, politikës dhe ekonomisë ruse.

Ndërsa vendi ishte dominuar nga paganizmi deri në fundin e shekullit X-të, Vladimiri i Madh vendosi fenë në të cilën duhet të konvertohshin njerëzit e tij, që jetonin në atë që është tani Rusia Perëndimore. Ai dërgoi misionarë për të hulumtuar në shtetet fqinje, dhe për të ftuar përfaqësues fetarë në pallatin e tij. Vladimiri refuzoi në çast judaizmin, ndërsa shqyrtoi më pas Islamin. Sidoqoftë, ai nuk e pëlqeu faktin që feja impononte rrethprerjen, ndalonte konsumin e mishit të derrit dhe mbi të gjitha të alkoolit.

Dhe kur të dërguarit e tij raportuan se nuk kishte asnjë hare në mesin e bullgarëve jo-alkoolikë myslimanë, ai tha shprehjen që mbeti në histori:“Të pirit është gëzimi i një rusi!”. Në fund, Vladimiri përfundoi duke përqafuar fenë më festive që mund të gjente:Kishën Ortodokse Lindore (versioni gjerman i krishterimit, ishte shumë i zymtë) Kremlini – një kompleks pallatesh i vendosur në zemër të Moskës – mbetet sot zemra e pushtetit rus dhe emri i Manastirit Çudov, vendi ku vodka mendohet se është distiluar për herë të parë nga murgjit në shekullin XV, përkthehet ndryshe si “mrekulli”. Ka një arsye se përse rusët iu referuan fillimisht vodkës si “aqua vitae”, ose uji i jetës.

Për disa shekuj pas shpikjes së tij, ky ‘ujë i jetës’ ishte një lojtar i rëndësishëm në nivelet më të larta të qeverisë ruse. Ivani i Tmerrshëm ishte udhëheqësi i parë rus, që shfrytëzoi fuqinë e vodkës. Ai hapi taverna të drejtuara nga qeveria, ku shërbeheshin pije dhe mbushnin arkën e tij. Për më tepër, Ivani dehte vazhdimisht pjesëtarët e oborrit të tij mbretëror për të shuar kundërshtimet e tyre.

Ivani e çoi në ekstrem këtë ves, pasi gruaja e tij vdiq papritmas, çka e zhyti në një depresion të thellë. Sipas historianit francez Henri Trojat, ndërsa ushtritë e Ivanit zgjeronin kufijtë rusë larg e më larg, Ivani e shndërroi oborrin e tij në një dhomë torturash:”Gjurmët e gjakut, thyerja e eshtrave, ulërimat dhe rënkimet, shoqëruar me aromën e djersës dhe mishit të djegur, ishte të këndshme për flegrat e hundës së tij. Ai ngazëllehej shumë në ato momente tmerri dhe ekstaze, sa që i dukej sikur Zoti ishte në krahun e tij… Për të, lutja dhe tortura ishin thjesht dy aspekte të devotshmërisë”.

Ndërsa udhëheqësit rusë erdhën dhe shkuan, vetëm një gjë mbeti konstante:Të ardhurat nga alkooli. Në shekullin XIX, të ardhurat nga alkooli dhe taksat e lidhura me të, përbënin më shumë se një të tretën e buxhetit të përgjithshëm të vendit, të mjaftueshme për të mbajtur ushtrinë më të madhe në Europë. Dhe ndërsa shfrytëzimi i potencialit të të ardhurave nga alkooli, e lejoi Rusinë të financojë ekspansionin e saj, perandoria u bë e ndërvarur nga këto fitime. Për të maksimizuar të ardhurat, familja mbretërore shiti të drejtat rajonale për të shitur vodka tek ofertuesi më i lartë, duke lejuar zhvillimin e monopoleve në një pjesë të vendit, dhe krijuar në thelb një kastë feudalësh me fuçitë e vodkës.

Ky sistem nuk ishte kurrë më i fortë se sa nën sundimin e Car Nikollës II, i cili urdhëroi ndërtimin e më shumë se 100 distilerive. Kur nisi Lufta e Parë Botërore filloi në vitin 1914, një rus pinte mesatarisht në vit 14 litra alkool të pastër. Nuk duhet të habitemi që shkatërrimi i perandorisë cariste me Revolucionin Rus, përkon me një përpjekje të Nikollës II për të imponuar kufizimin e alkoolit për popullatën ruse. Në fakt, ndalimi i vodkës shkoi krah për krah me revolucionin e vitit 1917. Kur një delegacion nazist takoi më Moskë Josif Stalinin në gushtin e vitit 1939, Joakim von Ribentrop, ministri i Jashtëm i Hitlerit, raportoi se pija ishte “kaq shumë e fortë, sa thuajse të merrte frymën”.

Ai e tërhoqi mënjanë udhëheqësin sovjetik, për t’i shprehur “admirimin për fytin e fortë rus, krahasuar me atë gjerman”. Stalini qeshi, dhe i zbuloi një filxhan plot me verë Krimeje. Stalini e përdorte shpesh këtë strategji – i dehte mysafirët ndërsa vetë qëndronte relativisht esëll – edhe me nënshtetasit e tij. Me kalimin e kohës, ai u bë i njohur për festat e gjata mbrëmjeve, ku ministrat detyroheshin të pinin me tepri. Natyrisht, Stalini e bënte këtë për t’u argëtuar, por edhe për t’i mbajtur nën kontroll të gjithë ata që ishin në gjendje të kërcënonin pushtetin e tij. Ministrat mezi ishin në gjendje të punonin të nesërmen, dhe dremitjet e mesditës ishin një domosdoshmëri – ata kishin përpara një tjetër natë të gjatë plot me pije.

BRSS nën Stalinin ruajti të njëjtin monopol mbi vodkën ashtu si edhe carët, dhe Stalini i inkurajoi qytetarët e tij të pijnë vodkën qeveritare, për të parandaluar falimentimin kombëtar. Vodka i mbante rusët të dehur shumicën e kohës, të ndarë dhe të paaftë për të paraqitur ndonjë kërcënim serioz për sundimin e tij. Vodka e ndihmoi gjithashtu Stalinin të lidhte miqësi me Uinston Çurçilln. Një pijetar i famshëm, Çurçill e urrente komunizmin, derikur Stalini e ftoi atë për një banket privat në vitin 1942. Ata pinë gjatë gjithë natës, duke hedhur themelin e partneritetit të aleatëve, që shkatërroi Rajhun e Tretë.

Megjithatë, alkooli vazhdoi të sfidonte Rusinë për një kohë të gjatë. Asnjë formë e pushtetit, carist apo komunist nuk dukej e aftë – apo e gatshme – të trajtonte problemet e shumta shëndetësore, që u shkaktonte vodka banorëve. Mihail Gorbaçov, u përpoq të përmirësonte këtë marrëdhënie të dëmshme, që rusët kishin zhvilluar me vodkën. Në vitin 1985, ai kufuzoi konsumimin e alkoolit, duke prodhuar pije alkoolike më të buta dhe ujë mineral, në vend të vodkës. Si rezultat, çmimet e vodkës u rritën shumë, dhe si shitjet e vodkës ashtu edhe të ardhurat e qeverisë ranë ndjeshëm. Por për një kohë të shkurtër, plani i Gorbaçovit dha frytet e veta:Jetëgjatësia mesatare e një rusi mashkull u rrit me 3 vjet, nga 62 në 65-vjeç.

Megjithatë, siç ndodh përherë kur shteti ndalon ndonjë gjë, kërkuesit e vodkës filluan të shesin dhe blejnë pijen e tyre të dashur nëpërmjet tregut të zi. Jetëgjatësia ra sërish, dhe përpjekjet e Gorbaçovit dështuan. Të ardhurat nga vodka, kishin përbërë 20 përqind të buxhetit të vendit, dhe reduktimi i alkoolit i dha një dorë shkatërrimit të ekonomisë sovjetike. Shumë shpejt, Bashkimi Sovjetik u shemb – dhe ashtu si me shumë momente të tjera kritike në historinë ruse, alkooli mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm tek kjo ngjarje hiastorike. Kësisoj, Gorbaçovi, sekretari i fundit sovjetik, ra në të njëjtin kurth si cari i fundit i perandorisë ruse.

Të dy u përpoqën të luftonin këtë ves të rusëve, dhe që të dy dështuar, ndërsa vendi u shpërbë. Në vitin 1994, tre vjet pas rënies së Gorbaçovit nga pushteti, Rusia pati 55.000 njerëz të vdekur për shkak të alkoolit, dhe një rënie në jetëgjatësinë e meshkujve, në vetëm 57.6 vjeç. Për më tepër, studimet shëndetësore, zbuluan se problemi me konsumin e vodkës në Rusi, shkaktoi më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve të parakohshme në vitet 1990. Edhe sot, rusët kanë një shans të lartë që të vdesin nga një çështje që lidhet me alkoolin. E gjithë kjo ka kontribuar në një krizë demografike, të cilën presidenti aktual rus Vladimir Putin e quan “problemi më akut, me të cilin ballafaqohet sot vendi ynë”. Në kundërpërgjigje, ai paraqiti reforma në politikat e alkoolit që në vitin 2006, që impononin rregulla më të forta për prodhimin dhe shitjen e alkoolit.

Tre vjet më vonë, paraqiti një tjetër plan dramatik për të përgjysmuar konsumin e alkoolit brenda dekadës së ardhshme. Megjithatë, me sanksionet e vazhdueshme globale dhe rënien e të ardhurave nga nafta, ekonomia ruse mund të shohë një nxitje afatshkurtër për shitjen e vodkës. Kush e di, ndoshta një presidencë e Trump mund të detyrojë Putinin të mbështetet sërish tek varësia nga vodka, për ta bërë Rusinë sërish të madhe.