Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.
Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor.
Ministria e Brendshme raporton se vetëm për muajin qershor 2024 u është refuzuar azili dhe janë kthyer vullnetarisht dhe forcërisht 618 shtetas. Të deportuar konsiderohen edhe ata shtetas që përfundojnë dënimin në një nga vendet e Bashkimit Europian. Ndonëse, shifrat janë në zbritje, fakt mbetet që shumë shqiptarë me ekspuls tentojnë të kthehen në vendet e zonës Shengen. Si zbulohen në kufi dhe cila është paketa ligjore që u jep të drejtë policisë ti kthejë pas shtetasit shqiptarë.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Si identifikohet shtetasi shqiptar, i cili është me ekspuls apo është “deportiv”. Ka një dokument, një vulë në pasaportë, apo ka sisteme të tilla që e ekspozojnë atë?
Përparim Dema: Ne kemi në evidencë të gjithë shtetasit të cilët janë kthyer në kategorinë “deportiv” në pikat e kalimit kufitar të vendit tonë, pra janë të regjistruar në sistemin TIMS. Nuk kemi akses në sistemin SIS që është sistemi ekuivalent i sistemit TIMS, që përdoret nga vendet e zonës Shengen për disa shtete të tjera që kanë ratifikuar marrëveshjen me zonën Shengen. Të gjithë shtetasit të cilët kthehen në kategorinë “deportim”, nga ana jonë verifikohen nëse kanë rekorde kriminale në vendin tonë, intervistohen, daktiloskopohen, fotografohen dhe bëhet e gjithë procedura dhe hidhen në sistemin TIMS, në rubrikën “të kthyer”. Dhe nga momenti që janë hedhur për një periudhë 3-vjeçare nuk duhet të udhëtojnë drejt zonës së BE, zonës Shengen. Në rast se, gjatë kësaj periudhë shtetasi tenton të udhëtojë dhe paraqet një dokument justifikues, pra që nuk ka një ndalim hyrje në zonën Shengen, absolutisht ai mund të udhëtojë. E njëjta situatë është edhe për shtetasit të kthyer në kategorinë INAD kryesisht janë ajo kategori që janë kthyer me gërmën “h” të padëshiruar ose gërma “i” të cilët janë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë e shtetit që ka bërë refuzimin e hyrjes.
Anila Hoxha: Keni një shifër ju sesa është numri i shtetasve INAD mesatarisht çdo vit?
Përparim Dema: Është një numër përafërsisht 3000 -3500 shtetas çdo vit.
Anila Hoxha: Vetëm për aeroportin e Rinasit?
Përparim Dema: Nga analiza që kam bërë unë, nga viti 2013 e në vijim.
Anila Hoxha: Dispononi ju të dhëna sesa është numri i shtetasve shqiptarë që sillen mesatarisht çdo muaj apo çdo vit, që sillen si të deportuar?
Përparim Dema: Ka qenë një numër mbi 10.000 nga viti 2016. Ka ardhur deri në 5000 -6000 në vit.
Anila Hoxha: Nga cila shtete kryesisht deportohen?
Përparim Dema: Është Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, si dhe Gjermania. Një fluturim në javë nga secili nga këto shtete vjen me shtetas të kthyer, 20-30 shtetas.
Anila Hoxha: Ka prej atyre qytetarëve të cilët pavarësisht se kanë këtë masë ndaluese, e provojnë vazhdimisht fatin dhe tentojnë të udhëtojnë sërisht, të kthehen pas?
Përparim Dema: Ka raste sporadike, pasi të gjithë këto shtetas në moment që kthehen nga punonjës të policisë, i bëhet e qartë kjo ndalesë dalje për një periudhë të caktuar dhe dikush ndoshta nuk bindet dhe tenton.