Sociale

Si po u “vrasim” të vegjëlve fëmijërinë pak e nga pak…

Në ditët e sotme prej moshës së hershme, të miturit janë thuajse të gjithë me akses në internet dhe rrjete sociale. Psikologët thonë se prindërit për shkak të mungesës së kohës së nevojshme për t’u marrë me fëmijët i tolerojnë duke i lënë të vërdallisen virtualisht, duke i krijuar padashje një ves që do u kushtojë rritjen dhe kushtëzojë karakterin.

Tik-Tok që i mori jetën 10 vjeçarit në Shkodër është një rrjet social i krijuar fillimisht në Kinë, dhe ka në thelb sfidimin e të rinjve.

Por pa monitorimin e një të rrituri, sfida sipas ekspertëve, mund të shndërrohet në një tragjedi të vërtetë.

Psikologët shpjegojnë se varësia nga rrjetet sociale dhe interneti mund të dëmtojë seriozisht shëndetin dhe komunikimin. Psikologu Edmond Dragoti thotë se teknologjia dhe rrjetet sociale janë pjesë e pandashme e përditshmërisë, por që mbartin dhe problematika të ndryshme.

Kur përdoret më shumë seç duhet, kthehet në rrezik të madh ose serioz, siç janë në përgjithësi krimet e ndryshme që ndodhin në shoqëri, të cilat janë më të ndjeshme dhe kanë më shumë efekte negative te brezat e rinj.

Ndërsa videolojërat duke qenë se janë sfiduese, sipas psikologut, shpeshherë nxisin edhe agresivitetin te fëmijët apo të rinjtë.

Videolojërat janë sfida mjaft interesante sepse provon aftësitë e tua intelektuale, emocionale, ekuilibrat e ndryshëm të zhvillimit e pjekurisë të individit e të tjera dhe videoloja është një nga sfidat e këndshme që njeriu aplikon shpesh, por sidomos të rinjtë dhe fëmijët. Ka të keqen mbrapa sepse duke qenë një element sfidant ajo duke pasur edhe ngarkesën pozitive të kënaqësisë zakonisht, duke qenë dhe e pakontrolluar nga të rriturit, si dhe e paorientuar dhe e paplanifikuar në aspektin e saj të edukimit, moralit, të mesazheve që jep, loja elektronike, virtuale, videolojërat janë më të vërtetë tërheqëse, por kur varësohen të rinjtë drejt tyre atëherë si çdo gjë që varësohesh është e dëmshme. Edhe videolojëra kthehet në një rrezik serioz. Të bëjnë që të përfshihesh në një aktivitet paraprak fillestar si një pedanë që të hedh në bixhozin e të rriturve dhe si me thënë të përgatit për t’u përfshirë në jetën e ardhshme të bixhozit.

Çfarë ndodhi?

Rrjetet sociale i kanë kushtuar jetën një të mituri në Shkodër. Ngjarja e trishtë u regjistrua në fshatin Gur i Zi. Një 10 vjeçar ka humbur jetën në përpjekje për të simuluar vetvrasjen përmes një video në Tik-Tok.

I mituri u përpoq të imitonte vetvarjen por diçka shkoi keq dhe nuk mundi dot t’i shpëtojë kurthit të ngritur nga ai vet. Të afërmit kanë mbërritur vonë kur nxënësi i klasës së katërt kishte ndërruar jetë.