Celebrities Live From Tirana

Si te dallojmë një fëmijë bullizues dhe çfarë roli duhet të ketë prindi…të gjithë këto na i sqaron Elsida Sinaj!

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth bullizmit ishte e ftuar Elsida Sinaj, Doktoresh Shkencash në Psikologji, Edukim dhe Sporte njëkohësisht edhe Dekane e studentëve në Universitetin Europian të Tiranës. Për të folur më shumë rreth këtij fenomeni shumë të diskutuar kohët e fundit, Sinaj jep një përshkrim të detajuar të bullizmit…

Personi që e shkakton bullizmin e bën në mënyrë të vazhdueshme, është i ftohtë nga ana empatike. Ky person tenton të vendos një lloj pushteti. Bullizmi është një kërcënim që ndodh në mënyrë të përsëritur dhe personi që e përjeton bullizmin mund të ketë shqetësime me gjumin, probleme me të ushqyerit, ka dëshirë të jetë i izoluar. Është shumë e rëndësishme që fëmija mos të pyetet nga prindërit çfarë mësoi në shkollë apo në kopësht por si u ndje.

Unë e shikoj prezente bullizmin edhe në kopshte, sidomos tek 3-4 vjeçarët. Fëmija kur fillon refuzon të shkoj në kopësht ose në shkollë atëhere ka mundësi që është dhunuar psikologjikisht. Këto veprime ai që bullizon mund t’i bëjë sepse e sheh si një model në familjen e tij, ose e nisë si një lojë. Prindi duhet të jetë i kujdesshëm, në momentin që fëmija heziton të shkoj në kopësht, këtu duhet të alarmohemi. 

Si të dallojmë një fëmijë bullizues sipas Sinaj-t?

Një fëmijë që është bullist dhunon fizikisht, zgjedh një target, një person më të dobët, më i vogël në trup, më i tërhequr. E identifikon dhe në mënyrë të vazhdueshme e sulmon. Bullizmi kibernetik gjithashtu është më i rrezikshëm, sidomos në pandemi që fëmijët kanë qenë më aktiv në internet dhe si rrjedhojë më të ekspozuar ndaj këtyre sjelljeve.

Pjesa e pranimit te prindërit, pra që kanë një fëmijë bullizues është e vështirë sidomos kur bëhet fjalë për çregullime psikologjike. Këtu pastaj na del në pah roli i psikologut i cili duhet t’i shpjegojë prindit për bullizmin, efektet që ka tek personi që po bullizon por edhe te ai vetë. Nëse prindi nuk bashkëpunon është e vështirë. Psikologu parandalon çdo problematikë të mundshme. Sa më herët të kapet fenomeni aq më punë e mirë mund të bëhet. Unë sugjeroj që prindërit mos të kenë frikë të shkojnë te psikologu sepse vetëm e ndihmojnë fëmijën e tyre të jetë i shëndetshëm.