Botë e Çuditshme Sociale

Si të ndiheni si në ‘shtëpinë tuaj’ mësoni këshillat që iu nevojiten

Situata e pandemisë ka ndryshuar pothuajse gjithë rrjedhën e ditës sonë. Mësimi online, orari kufizues për dalje, maska, dezinfektantë, udhëtime të anulluara e shumë të tjera. Megjithatë, ajo nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe së shpejti do t’i rikthehemi përditshmërisë. Ndaj, nëse keni plan të zhvendoseni në një qytet tjetër, për studime apo punë, dhe keni frikë se do të ndieni vetëm, ne kemi disa sugjerime për ju.

1.       Tregohuni të sinqertë me veten

Është normale të ndiheni vetëm, të trishtuar apo të shqetësuar. Nuk keni pse ia fshehni vetes apo të tjerëve këtë gjë. Ndryshimet janë të vështira, madje jo të gjithë kanë guxim t’i ndërmarrin ato, prandaj duhet të jeni krenarë për veten. Përshtatja do pak kohë, por sigurisht që ndodh!

2.       Njihuni me qytetin

Ju duhet të njiheni me vendbanimin tuaj të ri. Vizitoni muzetë, shkoni në kinema apo zbuloni restorantet e panjohura. Ndoshta do t’ju kujtojnë qytetin tuaj, ndoshta do të jetë edhe më mirë.

Shkrimtari Kealan Burke, i cili u transferua nga Irlanda në Amerikë ka thënë:

Sa më shumë zhytem në një kulturë apo zbulim, aq më pak e frikshme bëhet kjo përvojë.

3.       Zgjidhni një shtëpi që ju kujton ‘shtëpinë’

Ndoshta do të jetë pak e vështirë apo e lodhshme, por do t’ia vlejë mundimi. Ndër kriteret e shtëpisë suaj të re, pa diskutim që duhet të jetë ngjashmëria me shtëpinë tuaj të fëmijërisë. Muret, dritaret apo edhe divanet duhet të keni ngjashmëri me ato që keni patur. Në këtë mënyrë ju do ndiheni si të mos jeni larguar kurrë.

4.       Nisni një hobi të ri

Kjo është periudha më e mirë të investoni te vetja. Ju mund të nisni një hobi të cilin nuk kishit mundësi më parë, mund të nisni palestrën, apo ndonjë sport që ju pëlqen. E rëndësishme është mos ta shpërdoroni kohën, por ta menaxhoni atë më së miri.

5.       Krijoni miqësi të reja

Së fundmi, duhet ta kuptoni që vërtet keni ikur. Prindërit dhe miqtë tuaj nuk janë aty, dhe ju nuk doni të jeni vetëm. Njihuni me njerëz të rinj dhe krijoni miqësi me ta. Ata do t’ju ndihmojnë të kaloni këtë periudhë të vështirë.

Megjithatë, nëse ndiheni të mërzitur, këtu kemi një listë këngësh për t’ju zbutur vetminë.