Aktualitet

Siguria kibernetike në Shqipëri, ambasadorja Kim: 50 milion dollarët e SHBA-ve, vetëm fillimi!

“50 milion dollarët që Amerika i dha Shqipërisë për të forcuar mbrojtjen kibernetike janë vetëm fillimi”.  Kjo u theksua sot nga ambasadorja Yuri Kim në konferencën “Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri”. Kim vuri në dukje se SHBA-të dënuan Iranin dhe përballë këtij sulmi shprehën mbështetjen e plotë për Shqipërinë.

Nga korriku, pa ndërprerje dërguam ekspertët tanë më të mirë për të punuar me shqiptarët. Ju nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik. Duhet të identifikojmë mbrojtjen tonë kolektive.

Nga e njëjta konferencë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi theksoi rëndësinë e një trajtimi më të mirë financiar për burimet njerëzore që do të punojnë në sigurinë kibernetike. Gjithashtu iu bëri ftesë të rinjve profesionistë të kësaj fushe t’i bashkohen institucioneve publike.

Në mënyrë që të ndërtojmë një ekosistem sa më të sigurt dhe të qëndrueshëm, ne duhet të çojmë në një tjetër nivel punën tonë. Synimi ynë është të jemi konkurrues njësoj si sektori privat kur është fjala te përthithja në institucionet tona publike e kapaciteteve të mira njerëzore në këtë fushë.

Po punojmë në këtë drejtim për një skemë të re trajtimi financiar dhe zhvillimi në karrierë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët, për të mbrojtur sistemet tona digjitale nga sulmet kibernetike.  E përfundoj këtë fjalë me një ftesë të hapur ndaj të rinjve e të rejave profesionistë të kësaj fushe, të na bashkohen në projektin tonë për të ngritur e forcuar strukturat dhe politikat e reja të sigurisë kibernetike në Policinë e Shtetit!

Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe këtë “të mirë” sepse ngriti alertin si kurrë më parë te ne, për t’u përqendruar në garantimin e infrastrukturës digjitale. Dhe jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara e mentalitet që kupton sfidat e sigurisë kibernetike.

Në fjalën e mbajtur, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann u shpreh se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, vitin e kaluar, po ashtu treguan partnerët që i qëndruan në krah vendit.