Bota

Silvio Berlusconi mbetet i shtruar, spitali: Optimizëm i kujdesshëm!

Një tjetër natë e qetë për Silvio Berlusconin, i cili prej të mërkurës ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive të spitalit San Raffaele në Milano të Italisë. Në buletinin mjekësor thuhet:

Terapitë po japin rezultatet e pritura, duke na lejuar të shprehim optimizëm të kujdesshëm. Silvio Berlusconi mbetet i shtruar në repartin e kujdesit intensiv.

Mbrëmjen e Pashkës Katolike, ish-kryeministri italian u vizitua nga vajzat e tij Marina dhe Eleonora. Që nga dita e parë e shtrimit në spital, pranë tij janë partnerja Marta Fascina, njëherazi deputete e Forza Italia-s e vjehrri Orazio.

Për partinë Forza Italia që drejton, mënyra më e mirë për t’i qëndruar pranë është të punojë e të angazhohet në funksion të zgjedhjeve lokale dhe europiane, duke dhënë maksimumin. Kryediplomati italian, Antonio Tajani u shpreh:

Tani shpresojmë që ai të kthehet në drejtimin e partisë. Herë të tjera kemi qenë të shqetësuar si p.sh për ndërhyrjen në zemër. Kushedi se çfarë mund të kishte ndodhur… Duam të jemi optimist, nuk dorëzohet kurrë. Drejtimi i tij në Forza Italia, asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje. Ka vetëm një lider, nuk ka fraksione e shefa. Silvio Berlusconi punoi aktivisht edhe për riorganizimin e partisë në bazë territori. Bëri disa zgjedhje për organizimin, në mënyrë që të jepte një nxitje për ne.

Ndërsa vuan nga leuçemia kronike dhe një infeksion i mushkërive, 86-vjeçari shprehu besim se do t’ia dalë.

Eshtë e vështirë, por do të mundem edhe këtë herë. Edhe në situata të vështira e delikate kam arritur të ngrihem sërish në këmbë.

Që prej nisjes së trajtimit, nga burime spitalore u tha se mungesa e oksigjenit ka krijuar probleme në rrugët kardiovaskulare e të frymëmarrjes që rrezikojnë të sjellin infeksione, përfshirë pneumoninë. Ato mund të ndërlikonin gjendjen e përgjithshme. Sfidat u perqëndruan në rikthimin e oksigjenit në nivelet e duhura.