Aktualitet Politikë

Simon Miraka nuk pranohet në Komisionin e Dosjeve, Berisha akuza Ballës e Bardhit!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “minoriteti në Shqipëri është diskriminuar nga qeveria në këto 8 vite”. Ndërsa në Kuvend diskutohet raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Berisha u shpreh se “ka zero investime në zonat minoritare”.

Eshtë ndjekur politika e shpërfilljes totale dhe diskriminimit të plotë të tyre. Shkoni në Korçë, edhe tregun ua morën. Faktikisht minoritetet në Shqipëri janë fiktive për të mos thënë të paqena. Ky është regjimi i diskriminimit total si në asnjë vend në Europë, si në asnjë vend tjetër të lirë. Këtu me ligje dhe vendime qeverie diskriminohen të varfrit.

Sipas Berishës, po privohen nga shkollimi dhe arsimimi të varfrit.

A mund të imagjinoni ju që të ngrihet mesatarja në universitete në nivelin e mesatares së Tiranës, në një kohë kur 2/3 e Shqipërisë rurale është 1-1.5 e gjysmë nën mesataren e Tiranës?

Në këtë mënyrë ju i diskriminoni ata se janë të varfër. Jeni kthyer në praktikat e etërve tuaj. Të diskriminuar janë demokratët. Me një të rënë të lapsit u hoqën 20 mijë familje nga qarku i Kukësit, nga ndihma ekonomike, për faktin se nuk votojnë për qeverinë.

Po ashtu, reagoi për mospranimin e emrit të Simon Mirakës si komisioner i Komisionit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Diskriminim klasor jua bëni të përndjekurve politikë. Në një akt të shëmtuar, sot refuzuat Simon Mirakën, njëri nga ikonat e vuajtjes dhe persekutimit, pasardhës i një familjeje të shkëlqyer. Individë që i lidh krimi, i fshijnë emrin si komisioner për Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Ndërkohë në Kuvend, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla tha se “mund ta votojnë emrin e Simon Mirakës, në rast se nuk do vijë me firmën e Berishës”. Në një replikë, Berisha tha se ai dhe Gazment Bardhi u bënë bashkë për të rrëzuar Mirakën.

Ju, bashkëautorët e krimit të Elbasanit e dënuat Mirakën sërish!