Health & Beauty

‘Sindroma e zemrës së thyer’, gjendja e cila është po aq e ngjashme me atakun e zemrës!

Zemra e thyer është një gjendje reale, e cila imiton një atak në zemër për shkak të stresorëve të papritur emocionalë që sjell. Sindroma, e njohur edhe si ‘Kardiomiopatia Takotsubo’ është një gjendje e përkohshme dhe mund t’i ndodhë shumicës së njerëzve. Sipas mjekëve, ndryshe nga një atak në zemër, sindroma e zemrës së thyer ndodh kur një stres i papritur, i cili është fizik ose emocional, bën që muskujt e zemrës suaj të dobësohen me shpejtësi.

Përveç ‘Kardiomiopatisë Takotsubo’, sindroma njihet edhe si sindroma e balonimit apikal, sindroma Gebrochenes-Herz ose kardiomiopatia e stresit. Ekspertët besojnë se në shumicën e rasteve njerëzit as që e kuptojnë se vuajnë nga kjo gjendje, pasi pavarësisht simptomave nuk shkojnë te mjekët. Sindroma e zemrës së thyer prek kryesisht gratë, të cilat përbëjnë rreth 88 për qind të rasteve të raportuara.

Mjekët thonë se shumica e pacientëve janë në postmenopauzë. Kjo ndodh për shkak të hormonit estrogjen që mbron zemrën tuaj kundër çdo efekti të dëmshëm të hormoneve që trupi juaj lëshon si përgjigje ndaj stresit. Ndërsa niveli i estrogjenit bie me moshën, gratë bëhen më të ndjeshme ndaj stresit të papritur. Ju jeni të prirur ndaj efekteve të sindromës, nëse jeni:

  1. Një femër
  2. Mosha më e madhe se 50 vjeç
  3. Keni pasur një çrregullim psikiatrik si ankthi ose depresioni
  4. Keni pasur një çrregullim neurologjik si kriza ose goditje në tru

Disa nga shkaqet e sindromës së zemrës së thyer përfshijnë ngjarje intensive që janë fizike ose emocionale. Çdo gjë që shkakton një reagim të fortë emocional mund ta shkaktojë gjendjen. Ato mund të jenë:

  1. Sëmundje e papritur si një atak astme ose Covid-19
  2. Operacion kirurgjikal
  3. Thyerje e një kocke
  4. Vdekja e një të dashuri ose një humbje tjetër
  5. Sipas Harvard Health, nuk ka një trajtim standard për sindromën dhe kjo varet edhe nga ashpërsia e simptomave. Mjekët shpesh rekomandojnë medikamente standarde për atakun e zemrës si beta-bllokuesit, frenuesit ACE dhe diuretikët.

Ekspertët thonë se beta-bllokuesit mund të vazhdojnë për një kohë të pacaktuar për të ndihmuar në parandalimin e përsëritjes duke reduktuar efektet e adrenalinës dhe hormoneve të tjera të stresit.