Rajoni

Sir Stuart Peach, i dërguari britanik për Ballkanin!

Sir Stuart Peach është emëruar i Dërguar i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.

Peach, i cili mban titullin “Sir” do ta marrë detyrën e re pas dorëheqjes nga pozicioni i shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, më herët gjatë vitit. Ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë. Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë të tjerë rreth rajonit e aleatë të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, për të mbështetuar e forcuar stabilitetin rajonal.

Në njoftimin për emërimin e tij është thënë se i dërguari i posaçëm do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në Bosnje. Schmidt ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin në konflikt.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë emëruar më herët gjatë këtij viti të dërguarin e ri të posaçëm për këtë rajon. Gabriel Escobar e ka zëvendësuar Matthew Palmerin nga muaji shtator. Aktualisht Palmer është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për Reformën Zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë. Bashkimi Europian ka të dërguar për këtë rajon, Mirosllav Lajçakun.