Bota

Sistemet paralajmëruese dështuan, Gjermania hedh poshtë kritikat lidhur me përmbytjet!

Qeveria e Gjermanisë iu përgjigj kritikave për sistemet e saj të paralajmërimit, pasi përmbytjet më të këqija në disa dekada shkaktuan të paktën 160 viktima, javën e kaluar.

Mbi 170 të tjerë vazhdojnë të mbeten ende të zhdukur.

Partia e Gjelbër opozitare tha se katastrofa tregoi se Gjermania duhet të përgatitet më mirë për motin ekstrem.

Por, ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, i mbrojti veprimet e Qeverisë.

Komunitetet lokale duhet të vendosin se si të përgjigjen, tha ai.

Nën sistemin politik të Gjermanisë, landet rajonale janë përgjegjëse për veprimet në situata emergjente.

“Do të ishte krejt e pakonceptueshme që një katastrofë e tillë të menaxhohej nga një vend”, tha Seehofer.

Sipas tij, kritikat janë një “retorikë e lirë zgjedhore”.

Gjermania voton në shtator për të zgjedhur pasardhësen e kancelares Angela Merkel, pas 16 vitesh në pushtet!

Sistemet paralajmëruese të përmbytjeve dërguan alarme disa ditë para shiut të madh, javën e kaluar.

Megjithatë, ato nuk arritën në kohë te shumë banorë dhe zyrtarë.

Armin Schuster, udhëheqës i Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile, tha se “infrastruktura paralajmëruese nuk ishte problemi ynë, por efektiviteti me të cilin autoritetet dhe popullata reaguan ndaj këtyre paralajmërimeve”.

Aktualisht në Gjermani po bëhet pastrimi masiv nga përmbytjet, ndërsa Qeveria po shqyrton një paketë ndihme prej rreth 400 milionë eurosh.

Dy landet më të prekura nga përmbytjet janë: Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen.