Aktualitet

Situata epidemiologjike e qëndrueshme në vend, por kur pritet lehtësimi i masave?

“Situata epidemiologjike në vend është e qëndrueshme ndërsa numri i personave të infektuar me koronavirus dhe i të shtruarve në spital, në ulje”. Këtë e bëri të ditur zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e pranishme sot në një aktivitet në Akademinë e Shkencave. Rakacolli paralajmëroi se masat do të lehtësohen vetëm atëherë kur niveli i ulët i infektimeve të zgjasë të paktën dy javë.

Masat shkojnë në përputhje me situatën epidemiologjike, ne i ndjekim me vëmendje. Fatmirësisht situata epidemiologjike është e qëndrueshme në spitale dhe me një ulje në numrin e infektimeve. Lirimi i masave do të vijë nëse ky nivel i ulët i infektimeve do të qëndrojë të paktën për dy javë rresht.

Gjatë aktivitetit me temë: “Infodemia e shkaktuar nga COVID-19, pasojat dhe përballimi i saj”, zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se “kohët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i të rinjve të vaksinuar”.

Asgjë nuk shihet me shifrat ditore, janë të gabuara këto konkluzione! Ashtu siç nuk duhet të ketë entuziazëm në ditët që kemi numër të lartë vaksinimesh, ashtu edhe nuk duhet të bëhemi pesimistë kur numri është i ulët. Mos harroni që ditët e fundit ishin festë, për Shën Valentin. Kush do të vaksinohet? Ajo që na pëlqen dhe është një tendencë pozitive lidhet me faktin që numri i të rinjve që vaksinohen, po rritet!

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH vëren rënie të ndjeshme të numrit global të rasteve të reja me koronavirus. Në përditësimin javor epidemiologjik, OBSH thekson:

Numri global i rasteve të reja u ul me 19% nga shifra e raportuar gjatë javës së kaluar, ndërsa numri i vdekjeve nuk ndryshoi. Në gjashtë rajone të botës, janë raportuar mbi 16 milion infektime të reja dhe rreth 75 mijë vdekje. Prej fillimit të vitit 2022, pandemia arriti kulmin në javën e fundit të janarit.

Ndërkaq, ka një rritje të qëndrueshme të nënvariantit BA.2 të Omicron-it, i cili mund të transmetohet edhe më shpejt.

Për shkak të shifrave në rënie, Holanda ka njoftuar planet për të hequr shumicën e masave kufizuese kundër COVID-it, nga 18 shkurti.

Nga e premtja, stadiumet e futbollit, teatrot, kinematë dhe restorantet do të lejohen të presin vizitorë pothuajse pa kufizime dhe gjithashtu do të qëndrojnë të hapura sërish deri në 01:00 pas mesnate ndërsa aktualisht mbyllen në orën 22:00. Hapi i parë do të pasohet nga përfundimtari më 25 shkurt, kur pritet të hiqen maskat dhe certifikatat shëndetësore. Për eventet të mëdha si festivalet, testimi do të mbetet i detyrueshëm në të ardhmen. Por, kërkesa për të mbajtur maskë nuk hiqet për transportin publik dhe udhëtimet ajrore.

Vaksinat kundër COVID-19 mund të mbrojnë foshnjet pasi të lindin dhe të zvogëlojnë numrin e shtrimeve të tyre në spital për shkak të simptomave të lidhura me rritjen e temperaturës. Kjo thuhet në një studim të autoriteteve amerikane, të publikuar sot. Studimi është ndër të parët që tregojnë dobinë për foshnjet e lindura pasi nënat e tyre gjatë shtatzënisë kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer ose Moderna. Deri tani, dihej se antitrupat që zhvillohen nga vaksina kundër COVID-19 transferohen te fetusi përmes kordonit të kërthizës, por nuk ishte e qartë si ndikon vaksina për fëmijët pas lindjes.