Bota

Situata koronavirus: fluturime të anuluara, raste të shtuara e miratim antiviralësh!

Vijon kaosi i udhëtimeve. Vetëm në fundjavën që lamë pas, përhapja e variantit Omicron të koronavirusit çoi në anulimin e rreth 8 mijë fluturimeve të kompanive ajrore në të gjithë botën. Më shumë se 1.400 u anuluan sot. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë destinacionet e goditura më shumë, referuar të dhënave të faqes FlightAware. Kompanitë ajrore amerikane njoftojnë se anulimet janë rezultat i testimit të anëtarëve të ekuipazhit që kanë rezultuar pozitivë ose të atyre që për shkak të kontakteve me të infektuar duhet të qëndrojnë në karantinë. Ndikim ka edhe moti i keq si në Uashington ku bie dëborë apo në Mbretërinë e Bashkuar.  Për dy javë, Hong Kongu ndali të gjitha fluturimet me Korenë e Jugut, pas identifikimit të rasteve me COVID-19 mes pasagjerëve nga ky shtet.

Ndërkohë, autoritetet në Amerikë janë duke mbajtur nën vëzhgim dhjetëra anije, që po lundrojnë në ujërat amerikanë. Nga konstatimi i rasteve pozitive me koronavirus, disave iu mohua ankorimi në portet e Karaibeve.

Aktualisht, Europa është rajoni me numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 në nivel global. Në 7 ditët e fundit, në kontinentin tonë u shënuan 3.022.868 infektime apo 57% e totalit në botë. Në Europë, Franca regjistroi rekord kur të shtunën kapërceu 100 mijë infektime të reja, në 24 orë.

Në qytetin kinez, Xi’an, mbi 13 milion njerëz janë izoluar, teksa autoritetet tentojnë të luftojnë një shpërthim të koronavirusit.

Në një tjetër zhvillim, në Korenë e Jugut, u autorizua përdorimi i menjëhershëm kundër COVID-it i pilulës antivirale Paxlovid. Efikasiteti i ilaçit u vlerësua nga disa ekspertë, të cilët arritën në përfundimin se ky prodhim i kompanisë amerikane Pfizer është i nevojshëm për të përballuar krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia. Sipas tyre, Paxlovid, redukton ndjeshëm mundësinë e shtrimit në spital apo të vdekjes te pacientët e rrezikuar. Për herë të parë në 20 ditë, në Korenë e Jugut, rastet e reja ranë në 5 mijë, në 24 orë.

Izraeli po teston dozën e katërt të vaksinës anti-koronavirus te stafi mjekësor. Në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e Omicron-it, për dy javë, Irani ndalon hyrjen e udhëtarëve nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka e Norvegjia, si dhe mbylli kufijtë me Turqinë.

Numri i rasteve të infektimit me koronavirus po arrin nivele rekord në të gjithë botën, kryesisht për shkak të Omicron-it. Pavarësisht, gjetjeve të fundit se ky variant shoqërohet me simptoma më të lehta se të tjerët, shkencëtarët janë të shqetësuar nga numri i madh i rasteve të raportuara.