Aktualitet

Situata me koronavirusin në vend, reagon Komiteti Teknik i Eskpertëve

“Ka një rëndim të lehtë të situatës së koronavirusit në vend por mbetet tërësisht e kontrolluar lidhur me testimet dhe menaxhimin e rasteve që kanë nevojë për trajtime të specializuara mjekësore në banesë apo spitale”. Kjo u theksua sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në një konferencë shtypi ndërsa mësimi në universitete do të vijojë online. “Komiteti Teknik duke qenë gjithmonë i vëmendshëm për t’i paraprirë rëndimit të situatës, siç e kemi thënë që do të kishim një vlerësim të masave me intensitet të mesëm të marra më parë, ka vlerësuar që mësimi në universitete për shkak të situatës që është, do të vazhdojë online edhe për një periudhë, në varësi të vlerësimit dinamik që ne do të bëjmë”,-tha Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Sa i përket strategjisë lidhur me shkollat, Rakacolli tha: “Në shifrat që ne jemi tani që vazhdojnë të mbetet në një nivel të qendrueshëm nuk e diskutojmë për momentin sot mbylljen e shkollave. Por është një gjë që ne e ndjekim çdo 24 orë. Nëse shifrat do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda atyre numrave të cilat kërkojnë masë të tillë, por unë e theksoj gjithmonë që shifrat të jenë të qëndrueshme dhe ajo që ne kemi parasysh është në përgjithësi mirëqenia e fëmijëve”. 

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për krijimin e kapaciteteve spitalore dhe situata është nën kontroll në të tre stukturat COVID ku vijon të ketë ende kapacitete të lira për trajtimin e pacientëve COVID. “Janë marrë masa në spitale për krijimin e kapaciteteve ku vijojmë të kemi kapaciete të lira për trajtimin e pacientëve COVID, tani menaxhimi bëhet sa më shpejt në të tre spitalet COVID. Gjithashtu çdo i shëruar do të vijojë të dërgohet me ambulancë në shtëpi edhe pas shërimit”- tha Brataj.