Aktualitet

Situata me zjarret, vatra e Karaburunit merr përmasa të rrezikshme!

Situata nga zjarret në disa zona të vendit ishte në fokus të një mbledhjeje të zhvilluar në mesnatë nga Komiteti i Mbrojtjes Civile. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit. Vatra ka marrë përmasa të rrezikshme e ndihmuar edhe nga era, që favorizon përhapjen e flakëve.

Nga sot do të jenë në dispozicion tre helikopterë duke ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit, veçanërisht në Karaburun.

Në kohën kur i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, Peleshi tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët.

Megjithatë, Agjencia e Mbrojtjes Civile kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel. Gjithashtu, Ministri i Mbrojtjes pati biseda telefonike me homologët në Kroaci e Kosovë e mësohet se shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në rast se do të jetë e nevojshme, në varësi edhe të situatave të tyre të  brendshme. Kontakte janë bërë  edhe me qeverinë italiane.

Komiteti i Mbrojtjes Civile miratoi autorizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile e Ministrisë së Mbrojtjes për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me subjekte private apo nga jashtë vendit.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë. Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive. Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve.

Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll. Ndërkaq janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.