Aktualitet

Situata në Durrës/ Përgjysmohet sipërfaqja e përmbytur, bie niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm!

Sipërfaqja me prezencë uji në Durrës, Shijak dhe Krujë është përgjysmuar, ndërsa ka rënë niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm.

Sipas Prefektit të qarkut Durrës, në bazë të informacioneve të vazhdueshme të marra nga strukturat përgjegjëse vendore, si dhe nga strukturat e gadishmërisë së përhershme konfirmohet se në të gjithë territorin e Qarkut Durrës, reshjet me intensitet të ulët.

Në bashkinë Durrës niveli i ujit në lumin Erzen është në rënie, deri tani niveli ka rënë 2m, për shkak të reshjeve me intensitet shumë të ulët.

Niveli në Hidrovirin e Porto-Romanos është -1m, kurse tek Hidrovori i Hamallajt është -1.2m.

Aktualisht, nuk ka banesa me prezencë uji tek 2 rajonet që shfaqën problem gjatë 24 orëve të fundit, Rajoni nr.5 dhe Rajoni nr.6 të qytetit Durrës.

Në bashkinë Krujë prurjet në lumin Ishëm kanë rënë, duke bërë të mundur tërheqjen e ujit nga sipërfaqet e tokave bujqësore drejt shtratit të lumit.

Sipërfaqja me prezence uji është përgjysmuar, rreth 70 ha.

Në akset rrugore nuk ka prezencë uji dhe qarkullimi vijon normalisht.

Në bashkinë Shijak situata është e qetë, dhe lumi Erzen është brenda shtratit të tij. Të gjitha strukturat përgjegjëse vendore, në të 3 bashkitë janë në gadishmëri të plotë.