Rajoni

Situata në veri të Kosovës, KFOR apel për t’u përmbajtur nga veprimet e tensionuara!

Ndërsa në veriun e Kosovës protestohet dhe janë rikthyer tensionet me serbët që vazhdojnë të kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, KFOR-i u bën thirrje palëve të përmbahen nga veprimet “që mund të nxisin tensione apo të shkaktojnë përshkallëzim”. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, shprehet:

Në përputhje me mandatin jemi të gatshëm të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme.

Ky mision konfirmoi se mëngjesin e sotëm shtoi praninë në komunat në veri të Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovnier, sot u pa duke dalë nga takimi me kryetarin e komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci, por nuk bëri asnjë deklaratë për mediat. Takimi u zhvillua në Zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë.

Më pas, Hovenier deklaroi:

Eshtë e rëndësishme që të shmangen situatat në të cilat zyrtarët hyjnë në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës. Ky është qëndrim i SHBA-ve dhe i vendeve të tjera të QUINT-it: Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës e Gjermanisë.

Në takimin me kryetarët biseduam si ata mund t’i përmbushin detyrat për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi. Sipas nesh,  një gjë e tillë, tani nënkupton të mos hysh në ndërtesë me forcë.

Në takim ishin ftuar të katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri, por të pranishëm ishin vetëm ata të Zveçanit e Zubin Potokut, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë. Ambasadori amerikan takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi mbi situatën në veri.

Sipas gazetarëve në terren, më pas ambasadori i Uashingtonit hyri në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës e po ashtu dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiç kërkoi nga personat e mbledhur para ndërtesës së Komunës në Zveçan që të lëvizin, në mënyrë që të kalonin dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Por, protestuesit nuk lejuan duke thirrur: “Tradhti!”.

Kur ndaloi pranë mjetit të njësisë speciale, ata hodhën shishe boshe në drejtim të tij. Ndërkaq, në Zubin Potok u aktivizuan sirenat e alarmit ndërsa një grup qytetarësh serbë vazhdon të protestojë para ndërtesës së komunës.