Rajoni

Situata në veri të Kosovës, Serbia: I kemi përcaktuar vijat e kuqe!

Për të tretën ditë radhazi, serbët në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se për këtë situatë, fajtorë janë autoritetet në Kosovë. Vendimet e tyre i cilësoi “të njëanshme e të paligjshme”. Po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe.

Ushtria është e gatshme të kryejë çdo detyrë ndërsa nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për Zoti na ruajt, skenarë ku dikush vret serbë.

Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake për sa kohë të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara e derisa ekziston rrezik i lartë i sigurisë në Kosovë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se presidenti serb, Aleksander Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet ta ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura, si dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të ndalojnë sfidimin e KFOR-it e të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Nga përleshjet e së hënës në Zveçan mes protestuesve dhe KFOR-it, u plagosën 30 ushtarë, si dhe dhjetëra protestues. Vuçeviç deklaroi se autoritetet në Serbi janë në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kemi komunikim të vazhdueshëm, ku shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it. KFOR-i duhet t’i largojë njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu me shumicë serbe. Ky është parakusht për qetësimin e situatës.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi drejtuesit e rinj të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, të gjithë shqiptarë, hynë në ndërtesat komunale të ndihmuar nga policia e Kosovës. Paraprakisht, qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, ndërsa për dhunën në Zveçan fajësoi Beogradin për “drejtim të turmës ekstremiste”.

Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, shprehen se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre: të tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave, si dhe njësitet speciale të policisë së Kosovës nga veriu. Thirrje të ngjashme janë bërë dhe nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian.