Rajoni

Situata në veri, Turqia do të dërgojë përforcime për NATO-n në Kosovë!

Policia e Kosovës thotë se në veri, situata paraqitet e qetë. Zëdhënësi Baki Kelani bën të ditur se vazhdojnë monitorimi i gjendjes dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve kryesore të sigurisë.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdojnë angazhimet policore në zbatimin e rendit e sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore.

Prej 26 majit, në veri të Kosovës protestohet kundër hyrjes në godinat e komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok të kryetarëve shqiptarë të zgjedhur më 23 prill për të plotësuar vakancat e lëna nga serbët që prej nëntorit të kaluar. Po ashtu, kërkohet largimi i njësive speciale të policisë.

Policia e Kosovës bën të ditur se nisën hetimet për sulmet ndaj zyrtarëve të saj më 29 maj, në Zveçan. Për këtë rast është është informuar edhe prokurori.

Me datën 29 maj, rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë e tulla betoni kanë sulmuar zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Goditjet ndaj zyrtarëve të këtij institucioni konsiderohen “sulm kundër rendit kushtetutës të Kosovës”.

Nesër dhe të hënën, Turqia planifikon të dërgojë në Kosovë disa ushtarë, si përgjigje ndaj kërkesës së NATO-s, për t’iu bashkuar forcës paqeruajtëse KFOR, pas trazirave në veri. Sot në një deklaratë, ministria turke e Mbrojtjes bën thirrje për përmbajtje dhe dialog konstruktiv, për të zgjidhur krizën që sipas autoriteteve turke, mund ta dëmtojë stabilitetin e sigurinë rajonale.

Njësitet tona planifikojnë të angazhohen në Kosovë më 4-5 qershor.

Më 29 maj, situata u përshkallëzua në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë u plagosën 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.

Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç atyre 4 mijë që janë në këtë shtet. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

Përmes një letre publike, katër organizata joqeveritare që mbrojnë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: NSI, InTER, Aktiv dhe ACDC u janë drejtuar Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë e Britanisë së Madhe, duke kërkuar mbrojtje për serbët në Kosovë.

Këto organizata shprehin shqetësim, për ato që i quajnë “veprime shtypëse e agresive të qeverisë së Kosovës dhe sjelljen e forcave speciale të policisë në veri”.