Aktualitet

Situata nga reshjet në vend/ Ministria e Mbrojtjes informon mbi situatën!

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile forcat e emergjencave civile po punojnë për zgjidhjen e problematikave të shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë, veçanërisht në Shkodër, Lezhë e Dibër.

Forcat e Armatosura po ndihmojnë banorët për të kaluar rrugën në aksin rrugor Beltojë-Shkodër, te Harku i Bërdicës, ku ka vështirësi për kalimin e mjeteve të vogla për shkak të pranisë së ujit. Është ndërhyrë dhe normalizuar situata në dy banesa të përmbytura në fshatin Kakarriqë, të bashkisë Lezhë.

Në Shkodër është ndërhyrë në një banesë në lagjen Ajasëm, ku është bërë evakuimi i familjes dhe të Xhamia e Plumbit. Në njësinë administrative Bërdicë është bërë e mundur evakuimi i 2 familjeve. Në bashkinë Klos po punohet për zhbllokimin e rrugës që lidh fshatin Ketë me qendrën e njësisë administrative Xibër.

Situata po monitorohet në vijim në zonën e Obotit të vjetër, në fshatrat Shirq, Mushan dhe Dajç, ku ka rrezikshmëri nga prurjet e shumta. I gjithë sistemi i reagimit të emergjencave civile është në gatishmëri.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje të gjithë banorëve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet të bëjnë kujdes me lëvizjet, të njoftojnë autoritetet në rast nevoje.