Aktualitet

Sjellja e Policisë së Shtetit kundrejt qytetarëve/Ja si e vlerësojnë këta të fundit!

Qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me punën e Policisë, duke denoncuar shumë prej tyre në SHÇBA dhe Prokurori. Vetëm gjatë muajit të parë të këtij viti, 21 efektivë janë dërguar në Prokurori nga SHÇBA, ndërkohë që 4 policë janë arrestuar për kryerjen e veprave penale.

Struktura për të cilën ka më shumë ankesa është Policia e Rendit. Sjellja e punonjësve të Policisë në raport me qytetarët mbetet problematike, pasi 21 efektivë janë denoncuar në Prokurori gjatë muajit janar 2022. Referimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve, por edhe pas hetimeve, të cilat janë ndjekur nga SHÇBA, e cila ka gjetur edhe shkeljet e punonjësve të rendit.

Nga  2019 deri në 2021  kur në krye të policisë ishte Ard Veliu , agjensia dërgoi për masë disiplinore 642 efektivë policie. Në hetimin administrativ te kryer nga AMP vetëm për vitin e  fundit rezulton se u ankuan ndaj policisë 1644 qytetarë, prej të cilëve 350 njoftuan gjobitje të padrejtë, 259 mos veprim në kohë të policisë dhe 250 shkelje të etikës dhe njëanshmëri.

Rasti më i fundit ishte dhe vdekja e Lear Kurtit, ku 32-vjecari ndërroi jetë pas shoqërimit në polici. Kjo ngjarje ka shkaktuar debate të shumta në publik. Prokuroria e Tiranës para pak ditësh njoftoi zhvillim të hetimeve për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënie ndihme”.

Nisur nga ky rast, ne kemi ngritur një sondazh në faqen tonë, ku i kemi pyetur qytetarët se si iu duket sjellja e Policisë së Shtetit me qytetarët. 81% janë përgjigjur se sjellja e tyre lë për të dëshiruar, ndërsa vetëm 19% janë përgjigjur se iu duket e mirë.

Sondazhi i ri i ngritur në faqen tonë është: “COVID-19 apo inflacioni, kujt i frikësoheni më shumë?” Mund të votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.