Aktualitet Politikë

S’ka bojkot, nesër përballje e gjatë PS-PD në Kuvend!

Partia Demokratike ka mbledhur mbrëmjen e sotme Grupin Parlamentar. Mësohet se mbledhja ka zgjatur përreth një orë dhe temë kryesore e diskutimit ka qenë seanca nesërme plenare, e cila pritet të miratojë qeverinë e re dhe programin qeverisës “Rama3”.

Në seancë plenare, e cila pritet të jetë maratonë, çdo deputet do të ketë mundësi të flasë 10 minuta, ndërsa, PD do ta përqendrojë diskutimin në tri çështje kryesore, si pandemia e COVID-19, tërmeti dhe kriminaliteti në vend, çështje këto që PD pretendon se socialistët kanë dështuar.

Seanca e nesërme do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e ndarë në tri faza, ku në fazën e parë do të bëhet prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama 3”, në fazën e dytë, e cila është parashikuar të nisë në orën 13:00, do të ketë pyetje nga deputetët dhe diskutime e debate, ndërsa faza e fundit, e parashikuar në orën 14:00, përfshin votimin e qeverisë dhe programit “Rama 3”.

Duket se demokratët kanë vendosur të mos bëjnë pyetje lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrave dhe programin e Ramës përgjatë viteve 2021-2025.