Aktualitet Politikë

Skadon afati i opozitës për Presidentin, Kuvendi nesër seanca e raundit të tretë

Ka skaduar  afati i fundit i opozitës për të propozuar emrat e saj si kandidatë për Presidentin e ri të Republikës.

Ora 16:00 ishte koha e fundit i opozitës për të propozuar kandidaturën për Presidentin e ri, ndërsa është njoftuar se të hënën në orën 10:00 do zhvillohet raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit.

Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar datën e votimit të tretë për zgjedhjen e Presidentit 30 maj ora 10:00, si dhe afatin për dorëzimin e emrave për kandidat për President datën 29 maj deri në orën 16:00.

Kuvendi njoftoi sot se, ditën e hënë, më datë 30 maj, do të zhvillojë dy seanca plenare.

Në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare për zhvillimin e votimit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në orën 11:00 do të vijojë seanca plenare, e cila në rendin e ditës do të ketë çështjet e parashikuara në Kalendarin e Kuvendit.

Tashmë ‘barriera’ kushtetuese për 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk ekziston më dhe në raundin e katërt, socialistët kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, pasi i kanë 71 votat që i duhen. Duke respektuar detyrimin kushtetues që raundet të mos bëhen më shumë se 7 ditë nga njëri-tjetri atëherë mund të themi se me shumë mundësi brenda një javë do të kemi një President të zgjedhur nga votat e socialistëve.

Sigurisht që kjo nuk do të thotë se shansi për gjetjen e një emri të përbashkët është zero por duke pasur parasysh që tashmë PS i ka votat e domosdoshme për ta ‘mbaruar vetë këtë punë’ ashtu siç edhe ka paralajmëruar pasja e një kryetar shteti të gjithëpranuar nga palët duket tashmë shumë e vështirë.

Raundi i tretë do të mbahet të hënën më 30 maj në orën 10:00 teksa negociatat mes palëve nuk kanë prodhuar konsensus mes palëve. Kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj akuzon mazhorancën se kanë prishur marrëveshjen, referuar këtu draftit të tij ku në një nga pikat parashikonte që emri i ri i presidentit të shkonte në Kuvend me firmat e përbashkët të demokratëve dhe socialistëve. Mirëpo, kreu i grupit socialist, Taulant Balla tha se nuk kanë pranuar një pikë të tillë dhe se një opozita nuk do i hiqte kurrë të drejtën mazhorancës që të propozonin një emër.

Teksa mosdakordësia mes PS-PD është e pritshme, përplasje ka pasur edhe nga vetë brenda opozitës. Fatmir Mediu që është në këtë tryezë si kryetar i grupit Aleanca për Ndryshim këmbëngulë që opozita duhet të japë një emër ose të mos ulët më në një tryezë të përbashkët, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe Alibeaj shfaqet mosbesues duke akuzuar socialistët se duan ta zgjedhin vetë.

Mbetet për t’u parë nëse opozita do të propozojë një emër këtë raund, teksa mësohet se nesër Kuvendi do të zhvillojë 2 seanca radhazi, një për presidentin në orën 10:00 dhe një tjetër për rendin e ditës në 11:00.

“Në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare për zhvillimin e votimit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës (Urdhër nr.46, datë 26.05.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla). Në orën 11: 00 do të vijojë seanca plenare, e cila në rendin e ditës do të ketë çështjet e parashikuara në Kalendarin e Kuvendit. (Urdhër nr.47, datë 26.05.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla)”, thuhet në njoftim.