Aktualitet

Skandal me gardianët e burgjeve!

Tre vite më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbuloi se 153 policë të burgjeve rezultonin të dënuar më parë nga drejtësia për krime të ndryshme. Për këtë arsye nisi pastrimin e gardianëve të qelive. Por, një hetim i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve zbuloi se 33 prej tyre nuk u larguan për asnjë moment nga detyra.

Ndërkaq, 44 të tjerë nuk u shkarkuan, por u liruan në mënyrë të tillë që ata të përfitonin nga sigurimet shoqërore. Ata janë identifikuar si policë në Drenovë, Peqin, Krujë dhe Lezhë.

Jo zyrtarisht, SHKKB thotë për Top Channel se në dy raste oficerët e policisë u larguan nga detyra, pasi emrat e tyre rezultonin të dënuar të formës së prerë, megjithatë pas dy muajsh u ripranuan sërish duke u paguar me shpërblim të menjëhershëm në masën e dy pagave.

Në disa raste, SHKKB, strukturë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë ka zbuluar se titullarët e burgjeve nuk firmosën përjashtimin për dy policë që gjithashtu ishin të dënuar të formës së prerë në momentin e pranimit si oficerë dhe se ata u mbajtën në detyrë deri sa dolën në pension duke përfituar nga pensioni suplementar. Shkresat e shumta të sekuestruara tregojnë me detaje abuzimin që aktualisht është nën hetim nga prokuroria për shpërdorim detyre.

Dëmi i shkaktuar shtetit përveç filtrave të sigurisë të policëve që duhet të shërbejnë në burgje, llogaritet të jetë sipas SHKKB në vlerën e 73 milion lekëve. Verifikimi i gjendjes gjyqësore të policisë së burgjeve nisi në vitin 2017 dhe u mbyll në 2018-ën. Pas zbulimit u ngrit një komision aktualisht nën hetim, që duhet të komunikonte policëve për vendimet gjyqësore, por teksa disa prej tyre qëndruan në detyrë, edhe për ata që u shkarkuan u përdor protokoll ekstra duke u liruar me pagesë kalimtare.