Bota

Skandali me dokumentet e klasifikuara, arkivat me rregulla të reja për ish-shefat e Shtëpisë së Bardhë!

Arkivi Kombëtar u ka kërkuar ish-presidentëve e zv.presidentëve amerikanë që ata të rishikojnë të dhënat e tyre personale për çdo dokument të klasifikuar. Kjo pas lajmit se presidenti Joe Biden dhe ish-zv.presidenti Mike Pence kishin të tilla dokumente në zotërim.

Arkivat u dërguan një letër përfaqësuesve të ish-drejtuesve të Shtëpisë së Bardhë, duke shkuar deri në periudhën e presidentit Ronald Regan për të siguruar pajtueshmërinë me Aktin e të Dhënave Presidenciale, sipas një kopjeje të marrë nga agjencia Associated Press.

Çdo regjistrim i krijuar ose i marrë nga presidenti është pronë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të menaxhohet nga arkivat në fund të çdo administrate.

Arkivat ua dërguan letrën përfaqësuesve të ish-presidentëve Donald Trump, Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton, George H.W. Bush dhe Ronald Reagan. Gjithashtu ish-zv.presidentëve Pence, Biden, Dick Cheney, Al Gore e Dan Quayle.

Përgjegjësia për të respektuar Aktin e të Dhënave Presidenciale nuk zvogëlohet pas përfundimit të një administrate. Prandaj, ne kërkojmë që të bëni një vlerësim të çdo materiali të mbajtur jashtë arkivit e që ka të bëjë me administratën, për të cilën ju keni shërbyer, për të përcaktuar nëse materialet e supozuara më parë se ishin personale në natyrë, mund të përmbajnë pa dashje të dhëna presidenciale ose nënpresidenciale.

Zëdhënësit e ish-presidentëve Trump, Obama, Clinton dhe ish-nënpresidentëve Pence, Dick Cheney, Al Gore dhe Dan Quayle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Në nëntor, në një sirtar të kyçur, avokatët e presidentit Joe Biden hasën në dokumente të klasifikuara nga koha e tij si zv.president, teksa po sistemonin një zyrë që ai nuk e përdor më. Që atëherë, kërkimet nga Byroja Federale dhe avokatët e Bidenit kanë gjetur më shumë dokumente. Edhe ish-zëvendëspresidenti Pence zbuloi dokumente dhe i dorëzoi, se siç tha “nuk besonte se kishte të tilla”.